TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Tetor 2023, 19:24

Furtunë në komisariatin e Gjirokastrës, pezullohen nga detyra 9 efektivë të përfshirë në trafik emigrantësh

Shkruar nga Pamfleti

Furtunë në komisariatin e Gjirokastrës, pezullohen nga detyra 9

Nëntë efektivë policie në Gjirokastër janë pezulluar nga detyra, pasi dyshohet se janë përfshirë në trafik emigrantësh.

Ka qenë prokuroria që në kuadër të hetimeve të nisur, ka zbuluar se policët favorizonin trafikun e emigrantëve nga Lindja e Mesme. Hetimi nisi pas informacioneve se disa punonjës policie në bashkëpunim, transportonin emigrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, pas lënies së emigrantëve në zonën e Delvinës, ata janë transportuar kundrejt fitimit nga persona të tjerë, ose kanë udhëtuar në brendësi të territorit shqiptar.

Njoftimi i AMP

Gjirokastër - Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka vendosur në datë 21 tetor, caktimin e masave të sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 9 punonjës policie pranë DVKM Gjirokastër.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, e konkretisht:

-Kryekomisar Florian Mustafaj, Shef i Sektorit të Migracionit në DVKM Gjirokastër.
-Komisar Rami Ruçi, Shef i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër.
-N/Komisar Ediat Kanina me detyrë Specialist në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër.
-N/Komisar Benard Kermaj, me detyrë Specialist i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër.
-Drejtues Behar Tafa, Kordinator i Operacionit Frontex.
-Inspektor Ramiz Balliu, me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër
-Inspektor Dritan Sako, me detyrë trup shërbimi ne Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër.
- Inspektor Emiliano Kazma, me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër.
-Inspektor Drini Çaçi me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër.

Vendimi i Gjykatës është rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, pas informacioneve se disa punonjës policie në bashkëpunim, transportonin migrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, pas lënies së migrantëve në zonën e Delvinës, ata janë transportuar kundrejt fitimit nga persona të tjerë, ose kanë udhëtuar në brendësi të territorit shqiptar. Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të punonjësve apo bashkëpunëtorëve të tyre.

Lini një Përgjigje