Sali Berisha është marrë i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Por seanca ku ai duhej të njihej me masën ka dështuar...
Dështon mbajtja e seancës gjyqësore në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sot ky i fundit duhej të njihej me masën e sigurisë, por seanca është shtyrë për nesër në orën 14:30.
Berisha është marrë i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”. Sot në orën 14:00 ai duhej të njihej me masën e sigurisë, por avokatët e tij kanë shkuar me skenar.
Ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka, pasi pretendojnë se ajo ka shkelur Kushtetutën. Sipas tyre, Berisha ka imunitet deputeti dhe nuk mund të ketë masë sigurie.
Po ashtu ata kanë kërkuar të njihen me aktet e dosjes. Fillimisht seanca u shty për në orën 18:00, por tani u vendos të mbahet nesër në orën 14.30, ku dhe do shihet nëse do pranohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtares.
Vetë avokati, Genc Gjokutaj informoi se ata kanë bërë edhe një padi në SPAK ndaj saj për shpërdorim detyre.
“Sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Pasi vendimi bie ndesh me Kushtetutën. Ne kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka dhe gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë. Ne po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtimin e saj. Jemi për një proces të rregullt dhe një mbrojtje efektive. Do të presim vendimin e gjykatës”, tha avokati, Genc Gjokutaj.
Sali Berisha ka vendosur të sfidojë hapur drejtësinë. Në orën 14:00 ai duhej të ishte në gjykatë, por doli në një konferencë për mediat dhe e bëri të qartë se nuk shkon në gjykatë. Berisha pretendon se është shkelur Kushtetuta dhe ka imunitet.
Berisha e cilëson aktakuzën si politike. Sipas tij, pas dosjes së Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion qendron kryeministri, Edi Rama.
“Kjo është një aktakuzë e turpshme, ndaj një reforme që edhe sot ekziston. Bonot përdoren si detyrim ndaj qytetarëve, pasi u privatizua një ekonomi e tërë dhe ata mbetën duarbosh. Problemi është aktakuzë politike e mirëfilltë ndaj reformave. PD nuk heq dorë asgjë nga programi i saj. Ndihem i nderuar për çdo akt dhe ligj që ka ndërmarrë. Të gjesh gjykatës që analizojnë ligjet dhe t’i lejojnë vetes të shpifin, kjo ndodh vetëm në mitologji, por, kjo nuk na dekurajon”, tha ai para gazetarëve.
Por edhe pse nuk i pranon akuzat, Berisha sot kishte autorizuar dy avokatët, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi që ta përfaqësonin në gjykatë. SPAK e akuzon Berishën se përmes postit si kryeministër ka ndryshuar ligje dhe ka marrë vendime me qëllim që të bëhej privatizimi i pronave të ish-kompleksit “Partizani”, me qëllim që dhëndri i tij të ndërtonte kulla. /Pamfleti
Lini një Përgjigje