TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Gusht 2024, 16:27

Çfarë po luhet me KURUM? Turqit nisin justifikimet për shkarkimin e punonjësve, në skenë dalin kinezët; sindikatat kujtohen “pas pilafit”

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë po luhet me KURUM? Turqit nisin justifikimet për

Reagime nga KURUM dhe Sindikatat, por 500 punonjës mbeten në rrugë...

Nuk kanë fund bëmat që vijnë nga Metalurgjiku i Elbasanit. Sali Berisha u dha uzinën më të madhe të përpunimit të çelikut turqve, të cilët po ashtu janë privilegjuar nga qeveria aktuale, e cila dihet për vëllazërinë me Erdogan.

KURUM u përfshi në skandalin e mbetjeve, pasi mbi 800 mijë ton lëndë toksike u ndaluan në Tajlandë. Por, teksa nisën akuzat dhe dyshimet, plasi një tjetër skandal. KURUM do të mbyllë disa reparte të saj dhe për pasojë 500 punonjës kanë mbetur pa punë. Ata janë njoftuar se sektori i përpunimit të çelikut dhe i petëzimit do i nënshtrohet një remonti dhe për pasojë puna do të pezullohet pa afat. Dyshimet janë se shkarkimet janë tip presioni ndaj qeverisë për skandalin e mbetjeve. Vetë KURUM ka reaguar duke tentuar të justifikohet.

Shoqëria, duke parashikuar një përkeqësim të situatës ekonomike gjatë muajve në vijim, ka vendosur në fillim të muajit gusht, të fillojë negociatat me sindikatën dhe procedurat ligjore për një numër të caktuar punonjësish, duke u ofruar atyre alternativën e largimit nga puna pas 3 muajve kundrejt shlyerjes së të gjitha detyrimeve dhe pagesës se shpërblimit të vjetërsisë në punë sipas ligjit, me opsionin gjithmonë të rikthimit në rastin më të parë të rifillimit të punës në fabrika”, shprehet KURUM.

Por ish-Sekretari i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë, Taf Koleci, ka deklaruar se punonjësit e larguar janë në pritje të një kompanie kineze që pritet të vijë në zonë. Koleci ka zhvilluar negociatat mes punonjësve dhe kompanisë.

"Është bërë marrëveshje që punonjësit e larguar të marrin 60% të rrogës. Të njëjtët do të rikthehen në punë, pasi do të jenë në pritje të ardhjes së një firmë kineze rreth fillimit të nëntorit. Kjo kompani, (për të cilin Koleci thotë se nuk ka dijeni për emrin), do të rimarrë në punë të larguarit (që sipas tij nuk janë 500, por vetëm 250 punëtorë)", tha Koleci, i akuzuar aktualisht nga Sindikata se ka përfaqësuar interesat e kompanisë dhe jo ato të punëtorëve në këtë proces.

Vetë Konfederata e Sindikatave ka reaguar nga ana e saj, duke kritikuar KURUM. Por duket se sindikatat te ne kujtohen “pas pilafit”. Drejtuesit e tyre janë me vila, makina luksi dhe miliona në llogari bankare, teksa kur plasin skandale mjaftohen me një deklaratë shtypi.

KSSH mendon dhe është e bindur se “lepuri” fle diku tjetër. Së pari kompania “Kurum International” sha është e paorganizuar, pastrukturuar dhe e paaftë të përballojë konjukturën botërore të çmimit të hekurit dhe të mbetjeve e skorieve të tij, ku Kina po ndikon shumë në rritjen e çmimit. Investimet e kryera në vijimësi e veçanërisht ato të fabrikës së petëzimit kanë qënë të pasuksesshme dhe ndoshta të fryra qëllimisht për përfitime të padrejta”, thuhet në reagim.

Lidhur me largimin e punonjësve duket se dhe qeveria ka bërë sikur ka marrë masa. Inspektorati i Punës ka nisur një inspektim, por dhe ai me gjasë sa për të larë duart. Vetë qeveria i ka dalë në krah kompanisë turke te skandali i mbetjeve. /Pamfleti

Lini një Përgjigje