TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Qershor 2026, 14:30

Çfarë fshihet pas investimit 4 miliardë euro të dhëndrit të Trumpit në Shqipëri?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë fshihet pas investimit 4 miliardë euro të
Jared Kushner

Protesta të reja organizohen sonte në Tiranë dhe Vlorë për të kërkuar anulimin e projektit turistik me vila miliardëshe…

Ditët e fundit në Shqipëri po mbizotëron një klimë tensioni për shkak të protestave kundër projektit turistik të Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit. Planet për zhvillimin turistik prekin një zonë të mbrojtur të Shqipërisë dhe u bënë publike në prill të vitit 2024. Më shumë se dy vjet më vonë, projekti vazhdon të shoqërohet me shumë pikëpyetje.

Në një artikull të mediave ndërkombëtare analizohet situata, sikundër vihet theksi te paqartësitë.

Fillimi i projektit

Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, njoftuan në pranverën e vitit 2024 synimin për të ndërtuar hotele luksoze në Shqipëri. Sipas informacioneve të disponueshme dhe disa publikimeve në Instagram, projekti përfshin një kompleks hotelesh dhe vilash në bregdetin e Vjosë-Nartës, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Tiranës, si dhe një resort turistik luksoz në ishullin e pabanuar të Sazanit, i cili më parë shërbente si bazë ushtarake.

Në fund të vitit 2024, me qëllim përshpejtimin e procedurave, qeveria shqiptare i dha kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC, e lidhur me fondin investues Affinity Partners të Jared Kushnerit, statusin e investitorit strategjik. Ky status i lejon kompanisë të përfitojë procedura administrative të përshpejtuara dhe mbështetje nga disa ministri, sipas dokumenteve që ka siguruar Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).

Në janar të vitit 2026, Ivanka Trump vizitoi zonën së bashku me një grup arkitektësh dhe investitorësh dhe darkoi me kryeministrin Edi Rama.

Kush investon dhe sa para janë në lojë?

Investimi në ishullin e Sazanit vlerësohet në 1,4 miliardë euro. Së fundmi, Edi Rama ka folur për një projekt me vlerë të përgjithshme prej 4 miliardë eurosh.

Megjithatë, identiteti i investitorëve dhe roli i shtetit shqiptar në skemat financiare të projektit mbeten të paqarta.

Affinity Partners e drejtoi AFP-në te kompania e komunikimit P2 Public Affairs.

Kjo kompani dërgoi një deklaratë me shkrim ku shprehte “entuziazmin për krijimin e një destinacioni të klasit botëror dhe realizimin e një prej investimeve private më të rëndësishme në rajon”. Sipas deklaratës, ideja i përket Asher Abehsera-s, president i Sazan Real Estate Development LLC, kompani e cila paraqitet si administratore e projektit “së bashku me një grup investitorësh”.

Megjithatë, AFP nuk arriti të gjente asnjë gjurmë ligjore që të vërtetonte ekzistencën e kësaj kompanie. Autoritetet shqiptare, të pyetura për këtë çështje, nuk kishin dhënë përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.

Shqetësime për dëme mjedisore, të drejtat e pronësisë dhe burimin e fondeve

Kritikat dhe denoncimet ndaj projektit po shtohen. Ato vijnë kryesisht nga organizatat mjedisore. Sipas tyre, projekti paraqet probleme të shumta, që shkojnë nga ndikimi ekologjik deri te dyshimet për korrupsion.

Zona bregdetare e Vjosë-Nartës ndodhet në deltën e lumit Vjosë dhe është zonë e mbrojtur, e njohur për biodiversitetin e saj të pasur, me shumë specie të florës dhe faunës.

Organizatat joqeveritare kanë denoncuar prej muajsh pasojat e mundshme të projektit. Në janar, më shumë se 40 OJQ i drejtuan një letër qeverisë shqiptare duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tij.

Përveç shqetësimeve mjedisore, janë ngritur dyshime edhe për origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e tokave dhe për ligjshmërinë e procedurave të ndjekura.

Si shumë zona të tjera në Shqipëri, edhe kjo zonë është objekt mosmarrëveshjesh të vjetra pronësie. Në vitin 1945, me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës, prona private u shfuqizua. Në vitet 1990, pas rënies së regjimit komunist, mes krizës ekonomike dhe trazirave të armatosura, shumë toka u zunë pa bazë ligjore dhe çështja e pronësisë mbetet ende sot jashtëzakonisht e ndjeshme.

Mijëra familje vazhdojnë të shpresojnë se do të rikuperojnë pronat e paraardhësve të tyre. Disa prej tyre pretendojnë se zotërojnë pjesë të tokave që janë vënë në dispozicion të projektit të çiftit Kushner.

Hetimet dhe protestat

Kundërshtimi ndaj projektit është forcuar ditët e fundit pas publikimit në Instagram dhe rrjete të tjera sociale të videove që tregojnë punimet paraprake në bregdet dhe ekskavatorët që operojnë në plazh.

Të shtunën u organizua një protestë e parë në Zvërnec, kundër vendosjes së telave me gjemba që pengojnë hyrjen në plazh. Sipas raportimeve, roje private sigurie sulmuan protestuesit dhe disa persona mbetën të plagosur.

Pas këtyre incidenteve, protesta të reja u zhvilluan në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën për tri net radhazi duke kërkuar anulimin e projektit turistik dhe njohjen e titujve të pronësisë për pronarët e vjetër.

Për shkak të reagimeve të forta publike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetime lidhur me ndryshimin e statusit të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, ndryshimet në kuadrin ligjor që mundësuan nënshkrimin e kontratave pa tender publik, si dhe origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e titujve të pronësisë për tokat që përfshihen në projekt.

SPAK konfirmoi për AFP-në, sipas raportimit të Agjencisë së Lajmeve të Athinës, se hetimet janë në zhvillim, por refuzoi të japë detaje mbi përmbajtjen e tyre. /Përshtati Pamfleti/



kushner shqiperia zvernec sazani projekti

2 Komente

  1. R
    Romeo

    Se pari Kushner nuk ka para per të investuar. Ai perdor fondet e vendeve arabe dhe sherben si sekser, per perfitime personale. Shqiperia 450 km vije lineare detare zoteron, perse duhet tu dhurohen pronat e shqiptareve arabeve? Perse duhet ti zoterohen Kushnerit? Qenka dhendri i presidentit e kujt i plasi! Amerika ka qindra mijra km vije lineare vije ujore? Te shkojne dhe ti bëjnë atje investimet, jo në Shqipëri, apo atje nuk i le njeri arabet, ndersa ne Shqipëri nuk e rruan njeri, dhe mbas 20 viteve do të kemi egjyptiane, nigeriane, bangladeshas, filipinas që do të votojne në Shqipëri, ndersa shqiptaret do të gjesdisin si hebrenjte perpara krijimit të shtetit të tyre.

    1. T
      Tony

      Cfare fshihet? Jeta është kap cfare të kapesh, që te langot e Aemeriqise, Rusise, Israelit, Arabeve, etj, bashke me langot tane. Shtetet po rrezohen e po krijohen super langot e pasur. Pra kur bien malet ngrihen halet kane thene të paret tane.

      Lini një Përgjigje