Një delegacion amerikan ka mbërritur në Shqipëri dhe ka zhvilluar inspektime në zonën e Akërnisë dhe Portonovës në Vlorë. Në terren po kryhen shpime për studimin e tokës, duke nxitur dyshime për një projekt të madh zhvillimi të mundshëm. Vizita lidhet në mënyrë jozyrtare me interesin e Ivanka Trump, por nuk ka konfirmim zyrtar për qëllimin apo përbërjen e delegacionit.
Një delegacion amerikan ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 14:00 dhe nisur menjëherë drejt Vlorës, konkretisht në zonën e pyllit të Hidrovorit në Akërni. Përbërja e delegacionit ende nuk është konfirmuar.
Bëhet me dije se delegacioni ka inspektuar nga afër territorin, aty ku prej disa ditësh ndodhen mjete të rënda të firmave të ndryshme. Po ashtu raportohet se shpime për studimin e tokës po kryhen edhe në zonën e Portonovës, duke forcuar dyshimet për një projekt të madh zhvillimi në këtë pjesë të bregdetit nga Ivanka Trump, vajza e presidentit të SHBA.
Mësohet se delegacioni që ka mbërritur pasditen e sotme është shoqëruar nga forca private sigurie brenda pyllit dhe më pas është larguar me mjete private në drejtim të Daljanit dhe më tej drejt zonës së Portonovës.
Bëhet fjalë për një grup arkitektësh, megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi përbërjen e delegacionit apo qëllimin e vizitës së tyre.
Pas kësaj vizite në Akërni, delegacioni pritet të vijojë drejt zonës së Portonovos, një tjetër pikë që ka qenë shpesh në fokus për investime të mundshme.
Ky zhvillim vjen pasi ditën e djeshme një zbulim i papritur është regjistruar në zonën e Akërnisë, pranë Vlorës, ku gjatë shpimeve për studimin e tokës është konstatuar prani gazi natyror.
Menjëherë pas këtij konstatimi, zona është rrethuar me shirita sigurie, ndërsa janë marrë masa paraprake për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Mbetet e paqartë si do vijohet më tej, pasi nuk ka asnjë reagim nga autoritetet. Është kjo tentativa e radhës së familjes së Trump për të investuar në Shqipëri?
Kujtojmë që një vit më parë projekti Jared Kushner dhe Ivanka Trump për ishullin e Sazanit, bëri bujë. Pak kohë më vonë qeveria i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së lidhur me dhëndrin e presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, për të ndërtuar resortin super gjigant dhe luksoz në Sazan.
Mirëpo pak ditë më parë u raportua se plani i investimit të dhëndrit të Trump në Sazan, është shtyrë. Edhe pse ka disa vite që zvarritet, duket se do të duhet të pritet edhe disa kohë që Jared Kushner të investojë në Shqipëri.
Qeveria shqiptare ka shtyrë afatet për projektin prej 1.4 miliardë eurosh, duke e argumentuar këtë me vështirësitë teknike, ligjore dhe infrastrukturore që kanë ngadalësuar zbatimin e planit fillestar.
"Pamfleti" e raportoi që në janar se projekti kishte hyrë në ngërç. Më 15 dhjetor 2025, në të njëjtën datë me anulimin e marrëveshjes për investimin në Beograd, kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, investitore e projektit të resortit në Sazan, ka njoftuar shtyrjen edhe me një vit të sigurimit të marrëveshjes.
Për shtyrjen e afatit të sigurimit të marrëveshjes, kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, në pronësi të dhëndrit të Trump, kishte vënë në dijeni Komitetin e Investimeve Strategjike, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Korporatën Shqiptare të Investimeve dhe kompaninë kontraktore shqiptare “Albanian State Development Real Estate”.
Lini një Përgjigje