TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Maj 2026, 14:54

Erion Veliaj mbetet në burg, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për lirimin e Kryebashkiakut

Shkruar nga Pamfleti
Erion Veliaj mbetet në burg, Gjykata e Lartë rrëzon
Erion Veliaj

Rekursi i Kryebashkiakut ishte depozituar në Gjykatë, dy ditë pasi Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë mori vendimin unifikues mbi masat e sigurisë, ku i takon Prokurorisë që të argumentojë sepse kërkon masa sigurie “arresti me burg”, kur është e mundshme që të aplikohen masa të tjera sigurie...

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është në vijimësi të një serie kërkesash që Kryebashkiaku ka bërë për ndryshimin e masës së sigurisë.

Gjykata e Lartë me vendimin e sotëm ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së, sipas të cilit kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të qëndrojë në qeli.

Trupi gjykues i përbërë nga Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala vendosën të lënë në fuqi vendimmarrjen e 24 shkurtit të Apelit të GJKKO-së. Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative kundrejt garancisë pasurore, ose masë detyrim paraqitjeje, por Apeli ia rrëzoi kërkesën. 

“Kërkohet zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, me një masë sigurimi më të butë si “Garanci pasurore” parashikuar nga neni 236 i Kodit të Procedurës Penale ose “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit te Procedurës Penale”, thuhej në kërkesën e Veliajt.

Rekursi i Kryebashkiakut ishte depozituar në Gjykatë, dy ditë pasi Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë mori vendimin unifikues mbi masat e sigurisë, ku i takon Prokurorisë që të argumentojë sepse kërkon masa sigurie “arresti me burg”, kur është e mundshme që të aplikohen masa të tjera sigurie.

Përveç këtij rekursi, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë për lirimin e Veliajt. Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë, në vendimin që do duhet të rimarrë për Veliajn do të duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak. Pritet që Gjykata e Lartë të rishqyrtojë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë,por me një tjetër trup gjykues.

Veliaj është arrestuar në shkurt 2025 me urdhër të SPAK, ndërsa Prokuroria Speciale ngriti 13 akuza ndaj tij, 9 prej të cilave të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave. /Pamfleti/

 

 

veliaj gjykata e larte vendimi

1 Komente

  1. Z
    Zaneli

    Edhe nje femi dy vjec e kupton…se Po te ish per te dal…sarestohej Veliaj…ai u arestua per te mos dal…mbasi faktohen shkeljet ligjore te tije…kaqe per belulin

    Lini një Përgjigje