
Muaji qershor pritet të sjellë temperatura të larta dhe mot tipik veror në Shqipëri, me ndikim të vazhdueshëm të masave ajrore afrikane që kanë nisur të ndihen që në fund të muajit maj.
Sinoptikania Lajda Porja deklaroi se java e parë e qershorit do të karakterizohet nga temperatura që do të luhaten mes 32 dhe 34 gradë Celsius, ndërsa pas datës 5 qershor pritet një tjetër rritje graduale.
“Javën e parë të qershorit temperaturat do të jenë rreth 33–34 gradë. Pas datës 5 pritet një rritje graduale deri në 35–36 gradë. Këto masa të nxehta afrikane do të jenë të pranishme gjatë gjithë verës, me ndërprerje të shkurtra", shpjegoi sinoptikania për "Ora News".
Sipas saj, qershori do të jetë më i nxehtë se zakonisht, megjithatë nuk do të mungojnë luhatjet e shkurtra atmosferike dhe reshjet lokale.
Rrebeshet e verës pritet të shfaqen kryesisht gjatë orëve të pasdites, si pasojë e zhvillimit të shpejtë të vranësirave konvektive të krijuara nga temperaturat e larta.
“Rrebeshet do të jenë të shkurtra, zakonisht disa minuta deri në një orë, kryesisht në zonat malore dhe lindore. Edhe në bregdet mund të ketë reshje të izoluara, por nuk do të ndikojnë në motin e përgjithshëm dhe sezonin veror", tha Porja.
Zonat më të prekura nga reshjet kalimtare pritet të jenë Tirana, Kukësi, Puka, Bajram Curri, Peshkopia, Bulqiza, Korça, Pogradeci, Erseka, Tepelena dhe Gjirokastra, ndërsa bregdeti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm.
Sipas parashikimeve, deri rreth datës 10 qershor moti do të jetë i kthjellët dhe i nxehtë, ndërsa më 11 dhe 12 qershor mund të ketë një ndërprerje të shkurtër me reshje kalimtare, për t’iu rikthyer më pas sërish temperaturave të larta dhe motit të qëndrueshëm.
Lini një Përgjigje