Seanca e radhës ndaj ish-kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu, është shtyrë për në datën 3 qershor për shkak të mungesës së dy avokatëve.
Ndërkohë, personazhi i TikTok-ut Kleviol Ahmeti, i njohur si “Cllevio”, ka kërkuar që të paraqitet për të dëshmuar në GJKKO më 10 qershor, duke argumentuar se ka angazhime personale.
Në seancën e kësaj radhe pritej të dëshmonin “Cllevio” dhe reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy, lidhur me episodin e vendosjes së tritolit në biznesin e këtij të fundit.
Ata janë mes 60 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Laert Haxhiut, i cili po gjykohet si drejtues i një grupi kriminal të akuzuar për 14 krime të rënda, mes tyre vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Sipas akuzës, Laert Haxhiu dyshohet si porositësi i tritolit që shpërtheu në biznesin e Noizyt në Durrës. Ngjarja ndodhi në qershor 2022, kur rreth 100 gramë tritol shpërthyen në biznesin e reperit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodheshin në katin e parë dhe të dytë të një pallati pranë bregdetit.
Hetimet treguan se lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte aktivizuar me fitil përcjellës.
SPAK, bazuar edhe në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, pretendon se tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, si hakmarrje për dhunimin e mikut të tij, Kleviol Ahmeti, nga persona të afërt me Noizyn.
Lini një Përgjigje