Drejtuesi i sapozgjedhur i SPAK-ut, Klodian Braho, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran. Takimi vjen pak ditë pas marrjes së detyrës nga Braho në krye të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në një moment vendimtar për reformën në drejtësi dhe pritshmëritë publike.
Ambasadori Tarran e përgëzoi z. Braho për emërimin dhe i uroi sukses në këtë detyrë të ndjeshme, duke e konsideruar drejtimin e SPAK-ut si një rol kyç për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Në deklaratën zyrtare, ai ripohoi mbështetjen e palëkundur të OSBE-së për SPAK-un dhe theksoi se besimi i publikut tek drejtësia kalon pikërisht përmes rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me z. Klodjan Braho, pas zgjedhjes të tij si drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ambasadori Tarran e përgëzoi z. Braho për zgjedhjen në detyrë dhe i uroi suksese në marrjen e këtij roli të rëndësishëm dhe sfidues. Ambasadori Tarran ripohoi mbështetjen e fortë të Prezencës së OSBE-së për SPAK-un dhe rolin e tij kyç në procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni në forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të publikut tek institucionet demokratike të Shqipërisë.
Gjatë takimit, Ambasadori Tarran dhe z. Braho diskutuan bashkëpunimin aktual dhe të ardhshëm ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe SPAK-ut, përfshirë mbështetjen përmes veprimtarive të rritjes së kapaciteteve, këshillimit për politika dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Kryetari i Prezencës ritheksoi angazhimin e vijueshëm të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe mirëpriti pikëpamjet e z. Braho mbi mënyrat se si bashkëpunimi mund të forcohet më tej për të adresuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar”, njofton OSBE.
Lini një Përgjigje