TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Janar 2026, 15:43

Dosja për Irena Gjokën, PD kërkesë SPAK-ut: Hetoni pa vonesa, rrezikohet interesi publik

Shkruar nga Pamfleti

Dosja për Irena Gjokën, PD kërkesë SPAK-ut: Hetoni pa

Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë zyrtare pranë Prokurorisë së Posaçme, ku i kërkon këtij institucioni të përfundojë pa vonesa hetimin penal ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit, Irena Gjoka.

Sipas konfirmimit zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme, Gjoka rezulton e dënuar në shtetin grek dhe ka fshehur këtë fakt në formularët e vetëdeklarimit.

Në deklaratën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, thuhet se ky rast përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, ndërkohë që gjyqtarja vazhdon të ushtrojë funksionin e saj në kundërshtim të hapur me ligjin.

“Është e pashpjegueshme sesi ende sot Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimin për këtë rast, duke lejuar një gjendje të paligjshme në sistemin gjyqësor”, thuhet në letrën drejtuar SPAK. Opozita paralajmëron se kjo situatë cenon parimin e gjykatës së caktuar me ligj, duke vënë në pikëpyetje të gjitha vendimet që Gjoka ka dhënë si gjyqtare në SPAK.

PD thekson se mosveprimi i Prokurorisë rrezikon të prodhojë pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar, përveç dëmit të madh që i bëhet besimit të publikut tek drejtësia. Për më tepër, opozita nënvizon se papajtueshmëria e Irena Gjokës me funksionin kushtetues të gjyqtarit është tashmë e dokumentuar dhe kërkon hetim penal të menjëhershëm për falsifikim.

“Çdo vonesë sjell pasoja të rënda për interesin publik dhe integritetin e drejtësisë. Prokuroria e Posaçme duhet të veprojë me paanësi dhe brenda një afati të arsyeshëm”, përfundon letra e opozitës.

DEKLARATA E PD:

Pasi Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi sot se gjyqtarja e Gjykatës së Posacme Irena Gjoka rezulton e dënuar në shtetin grek dhe një fakt të tillë e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Posacme, përfundimin pa vonesa të hetimit të saj për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Në shkresën e firmosur në emër të opozitës, nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Pd, Gazment Bardhi, thesohet se“përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit. Është e pashpjegueshme sesi ende sot Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimin për këtë rast, duke vijuar devijimin nga parimi i barazisë përpara ligjit dhe duke lejuar vijimin e gjendjes së paligjshmërisë në sistemin gjyqësor.”

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shprehin shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të Prokurorisë së Posaçme, që po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor. “Cenimi i parimit të “gjykatës së caktuar me ligj”, është shkak i mjaftueshëm kushtetues për të cënuar çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar. Kjo ka pasoja të rënda për vetë sistemin e drejtësisë, për vetë punën e Prokurorisë së Posaçme, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar. Ky rast cenon edhe besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor, duke cenuar integritetin e të gjithë sistemit.”- thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.

Në përfundim, opozita thekson se “Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në çështje konkrete në hetim apo në punën e Prokurorisë së Posaçme, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme që të veprojë në kohë, pa vonesa të mëtejshme, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, për hetimin brenda një afati të arsyeshëm të këtij rast. Çdo vonesë nga ana juaj për përgjegjësinë penale apo nga organet e tjera kushtetuese për përgjegjësinë administrative, shkakon pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar.

 

Lini një Përgjigje