Nga postimet në rrjete sociale te reagimi institucional, një çështje që prek dinjitetin e grave shqiptare dhe imazhin e rajonit...
Debati i hapur së fundmi në Mal të Zi mbi të ashtuquajturat “nuse nga Shqipëria” nuk është thjesht një episod mediatik, por një pasqyrë e një problemi më të thellë social, kulturor dhe institucional, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë prek edhe imazhin e Shqipërisë dhe pozitën e grave shqiptare në rajon.
Vetë ‘Vijesti’ thekson se këto postime kanë krijuar reagime të forta publike dhe kanë nxitur pyetje mbi mundësinë e ndërmjetësimeve të paligjshme apo formave të fshehta të shfrytëzimit.
Qëndrimi zyrtar i institucioneve malazeze, i cituar nga ‘Vijesti’, është përmbajtës dhe strikt ligjor. Policia deklaron se nuk disponon të dhëna për ndërmjetësime të paligjshme apo elementë të veprave penale si trafikimi i qenieve njerëzore, duke sqaruar se vetë fakti i martesave ndërkufitare nuk përbën shkelje ligjore.
Sipas policisë, për të folur për krim duhet të provohen elementë si detyrimi, mashtrimi, kërcënimi ose përfitimi material përmes shfrytëzimit, ndërsa “postimet në rrjete sociale, në mungesë të provave konkrete, nuk mund të konsiderohen automatikisht vepra penale”, siç theksohet në reagimin e tyre të raportuar nga ‘Vijesti’. Ky pozicion reflekton një qasje formale të shtetit, e cila bazohet në prova dhe procedura, por njëkohësisht lë boshllëqe në aspektin preventiv.
Në kontrast me këtë qasje institucionale, organizatat për të drejtat e grave, të cituara gjithashtu nga ‘Vijesti’, e shohin fenomenin si alarmues, edhe nëse ende nuk është provuar penalisht. Qendra për të Drejtat e Grave në Mal të Zi paralajmëron se paraqitja e grave si “të disponueshme për martesë” përmes ndërmjetësimeve informale krijon terren për shkelje të dinjitetit njerëzor dhe mund të fshehë forma të shfrytëzimit, izolimit apo varësisë ekonomike.
Sipas tyre, problemi nuk qëndron vetëm te ligjshmëria formale, por te normalizimi shoqëror i një narrative ku gruaja reduktohet në mall, një fenomen që bie ndesh me standardet evropiane dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
‘Vijesti’ sjell gjithashtu të dhëna zyrtare që tregojnë se në dy vitet e fundit janë regjistruar 16 martesa mes shtetasve malazezë dhe grave nga Shqipëria, kryesisht në zonën e Ulqinit, por pa dhënë detaje mbi rrethanat në të cilat janë lidhur këto martesa. Kjo mungesë transparence ushqen dyshime legjitime, pa lejuar megjithatë përfundime të nxituara. Pikërisht këtu qëndron edhe nyja e debatit: midis mungesës së provave penale dhe nevojës për vigjilencë shoqërore ekziston një zonë gri, të cilën institucionet shpesh e anashkalojnë, ndërsa shoqëria civile e sheh si paralajmërim.
Për Shqipërinë, kjo çështje ka një dimension të ndjeshëm diplomatik dhe shoqëror. Nuk është fjala për të vënë në dyshim martesat ndërkufitare apo zgjedhjet individuale të grave shqiptare, por për të kundërshtuar fuqishëm çdo narrativë që i portretizon ato si “zgjidhje martesore” për tregje të varfra demografikisht apo socialisht.
Raportimi i Vijesti-t, edhe pse i kujdesshëm, tregon se problemi nuk është vetëm ligjor, por edhe kulturor: mënyra se si flitet për gratë, mënyra se si institucionet reagojnë dhe boshllëqet mes ligjit dhe realitetit social.
Në këtë kuptim, rasti nuk kërkon vetëm hetim penal, por edhe reflektim politik dhe shoqëror, si në Mal të Zi ashtu edhe në Shqipëri, për të parandaluar që dinjiteti i grave të kthehet në monedhë shkëmbimi në një rajon që synon standarde evropiane./Pamfleti
Mbani Salehun e Ramutin, dhe vazhdoni e shitni robt tuaj te hasmi! Vazhdo Ramut, vazhdo se afer je ta shkatërrosh përfundimisht kete Vendim e kete popull. Do te mbesin vetem Salehu e Ramuti dhe lepiresit e tyre!