Alban Dokushi është rikthyer në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë. Vendimi është dhënë nga Gjykata Administrative, të cilës i ishte drejtuar Dokushi, pasi kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e kishte shkarkuar nga detyra.
Me vendimin e Gjykatës, Dokushi duhet të rikthehet në pozicionin e tij, pasi Administrativja i ka konsideruar të pavlefshme urdhrat e Ristanit.
Sipas gjykatës, shkarkimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, duke përbërë një shkelje të rëndë të standardeve ligjore dhe procedurale.
Vendimi gjyqësor ka efekt të menjëhershëm dhe është i detyrueshëm për zbatim.
Pas arrestimit të Erion Veliajt me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, Kryeministri Edi Rama drejtoi procesin e shkarkimit të tij nga detyra, por edhe ‘pastrimin’ e Bashkisë së Tiranës nga ata që konsideroheshin si “besnikët” apo njerëzit e kryebashkiakut të arrestuar.
E ndërsa Rama drejtoi procedurat për shkarkimin e Veliajt, që u konsideruan “nul” nga Gjykata Kushtetuese, po me urdhër të Kryeministrit nisi procesi i shkarkimeve, largimeve dhe dorëheqjeve nën presion, nga Bashkia.
Lini një Përgjigje