Ju ftojmë të ndiqni lajmet më kryesore deri në mesditë, ku veçojmë:
1. SPAK mbyll hetimet për Elvis Roshi/ Ish- kryebashkiaku i Kavajës zyrtarisht nën akuzë
SPAK i ka komunikuar akuzën e shpërdorimit të detyrës Elvis Roshit, ish-Kryebashkiakut të Kavajës.
Roshi është hetuar nga Prokuroria Speciale për periudhën që ka drejtuar Bashkinë, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare, ai është monitoruar për ndikim në zgjedhje, pasi një prej të afërmve të tij, kandidonte për deputet, në listën e hapur të koalicionit të udhëhequr nga demokratët e Sali Berishës.
Roshi është hetuar për një seri tenderash të organizuara nga Bashkia e Kavajës gjatë kohës që ai ishte kryebashkiak. Bëhet fjalë për tendera në insfrastrukturën e qytetit, përfshi edhe qendrën, si dhe për pemët decorative. Sipas SPAK, nga hetimet rezulton se dëmi i shkaktuar si pasojë e abuzimit me tenderat, arrin në 33 mln lekë.
SPAK nisi hetimet për Roshin në vitin 2024, ndërsa ish-Kryebashkiaku është paraqitur disa herë në Prokurorinë Speciale ku është marrë në pyetje nga prokurori dhe agjentët e BKH-së.
Tenderat për të cilat SPAK ka hetuar ish-Kryebashkiakun e Kavajës i përkasin periudhës janar 2013-dhjetor 2014.
Nga hetimet ka rezultuar se në të paktën 3 tendera, ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.
Hetimet kanë nisur pas raporteve audituese nga KLSH, fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, dhe më pas i kaluar SPAK-ut.
2. “E dënuar në Greqi”/ Fati i Irena Gjokës në duart e KLGJ
Irena Gjoka, e cila për një mandat 3-vjeçar, drejtoi Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit,
rezulton në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksioneve të saj si gjyqtare. Kjo të paktën në bazë të verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila i ka përcjellë informacionet KLGJ-së, bazuar në një shkresë që Këshilli i kishte dërguar më parë organit qendror të akuzës.
Bazuar në verifikimet e Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se Irena Gjoka (Shpata, Maneku), e cila për muaj me rradhë ishte në qendër të akuzave të ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili denoncoi i pari një dënim të saj në Greqi, të cilin gjyqtarja nuk e kishte pasqyruar në formularin e dekriminalizimit, rrezikon të dalë jashtë sistemit të drejtësisë.
Tashmë i takon KLGJ-së, si institucioni që ka kompetencën të bëjë vlerësimin për gjyqtaren të marrë një vendim se çfarë do të ndodhë me anëtaren e Gjykatës Speciale. Bazuar në ligjin e dekriminalizimit, karriera e Irena Gjokës ndërpritet sepse ajo nuk ka deklaruar në formular dënimin. Nëse ndodh kjo, Gjoka do të jetë gjyqtarja e parë e GJKKO-së, që pasi ka kaluar vetting-un, të dalë jashtë sistemit të drejtësisë.
3. QSUT pa drita, reagon ashpër psikiatri/ Krim institucional! Në reanimacion sekondat vrasin
Mjeku psikiatër Neli Demi, ka reaguar ashpër pasi QSUT mbeti pa energji elektrike mbrëmjen e së hënës.
Në një reagim në rrjetet sociale, mjeku shkruan se spitali pa energji elektrike nuk mund të quhet defekt teknik, por një krim institucional.
Sipas mjekut, mbrëmë është kaluar vija e kuqe dhe fakti që nuk pati viktima për shkak të mungesës së energjisë elektrike, nuk ishte sukses i sistemit, por fat i verbër.
“Fakti që reanimacioni, urgjenca dhe shërbime jetike në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë mbetur pa energji elektrike është krim institucional, jo “defekt teknik”. Kjo është vijë e kuqe e kaluar. Në asnjë vend normal: reanimacioni, terapia intensive, sallat e operacionit nuk mbeten pa energji elektrike, kurrë. As për sekonda. As për minuta. As “rastësisht”.
Nëse pacientët janë nxjerrë në korridore, kjo do të thotë se: sistemet rezervë nuk ekzistojnë realisht, ose janë jashtë funksioni, ose nuk janë testuar kurrë, ose drejtuesit nuk kanë besim te to. Secila prej këtyre do ishte një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.
4. “Bordi i Paqes” së Trump, Kokalari-Ramës /Ke falur Sazanin, apo do paguash 1 miliardë USD?
Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me ftesën që Presidenti amerikan Donald Trump, i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama, për t’u bërë pjesë e “Bordit të Paqes” për Gazan. E ndërsa disa nga liderat botërorë kanë refuzuar kushtin për të paguar 1 miliardë dollarë cash që të kenë një vend në Bord, në Shqipëri ftesa po trajtohet si një trofe që Kryeministri ka marrë nga Presidenti amerikan.
Kokalari në reagimin e saj shprehet se “nëse Edi Rama nuk ka nënshkruar për të dhënë 1 miliard dollarë cash në vitin e parë, kuptoni se ka investuar bollshëm duke "falur" Sazan-in dhe zona të tjera. Po ashtu, ka marrëveshje me Emiratet për projektin 2 miliardë euro në bregdetin e Durrësit, që kritikohet për mungesë transparence dhe favorshmëri fiskale”.
“Nëse Rama beson realisht se këto "idiotlliqe" do t'i ngrenë vlerat, më lejoni t'i kujtoj se nuk ka medalje apo kontrata idiote që mund të ndryshojnë reputacionin e tij të dëmtuar nga akuzat për korrupsion.
Si e tillë, është tejet e nevojshme që Rama të bëjë publike urgjentisht çfarë ka nënshkruar me këtë ftesë, dhe mbi të gjitha, të bëjë publike marrëveshjet me Emiratet, që janë kontrata bashkëpunimi që nuk mund t'i aprovojë e firmosë vetë pa kaluar në Parlament”, shkruan Kokalari
Për më shumë, klikoni edicionin informativ të orës 12.00
Lini një Përgjigje