
Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë u zbulua rastësisht se ishte duke marrë ryshfet për dhënien e një tenderi.
Sot Joana Duro dhe specialistja Laura Shtetodolën para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë, por në seancë dolën dhe detaje nga hetimi.
Në seancën që zgjati 90 minuta, avokatët Antoneta Sevdari dhe Emir Bleta kërkuan masë më të lehtë për klientët e tyre, por që u rrëzua nga trupa gjykuese.
Kërkesa u refuzua pas përgjimeve dhe provave të paraqitura nga prokuroria. Mësohet se SPAK është duke kryer hetime për një çështje tjetër po për abuzime me tenderët dhe kishte vënë në përgjim disa funksionarë të tjerë të ministrisë. Por personi në fjalë ka pasur komunikime me zonjat dhe më pas kanë rënë dhe ato në përgjime dhe hetuesit e BKH panë se flitej për tenderë dhe ryshfet. Më pas nisën hetimet dhe u konkluduan me arrestimin e dy zonjave. Por fakti që SPAK ka vënë në përgjim dhe zyrtarë të tjerë në Ministrinë e Shëndetësisë tregon se mund të kemi të tjera arrestime në dikasterin e drejtuar nga Manastirliu.
Zyrtaret e Ministrisë akuzohen për korrupsion pasiv, pasi morën 330 mijë lekë ryshfet për të favorizuar një kompani private për fitimin e një tenderi. Bëhet fjalë për supervizimin e rikonstruksionit të qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë dhe Durrës me vlerë 805 mijë lekë.
Hetimet zbuluan se shuma e parave fillimisht iu dha inxhinierit Silvi Shehi nga Vladimir Topi, në banesën e tij dhe më pas ia dërgoi Laura Shteto-s, e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me sekretaren e Ministrisë. Shuma e parave u gjet në zyrën e sekretares, menjëherë pas arrestimit nga policia.
Lini një Përgjigje