
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka ripërsëritur deklaratat e mëparshme lidhur me përfshirjen e punonjësve të Policisë së Shtetit në aktivitete kriminale.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i kujtoi Dumanit një deklaratë të bërë një vit më parë, ku ai fliste për lidhje të policisë me grupe kriminale. Kapri kërkoi të dinte nëse qëndrimi i tij vijon të jetë i njëjtë edhe sot.
Në përgjigje, Dumani tha se hetimet e këtij viti kanë treguar të njëjtën situatë, duke konfirmuar se persona të përfshirë në Policinë e Shtetit kanë ndihmuar grupe kriminale, kryesisht në çështje që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.
“Edhe hetimet e këtij viti tregojnë që edhe elementë të Policisë së Shtetit kanë qenë pjesë ose i kanë shërbyer grupeve kriminale për trafikim droge apo vepra të tjera. Kur e kam deklaruar, i jam bazuar gjetjeve dhe të dhënave nga hetimet,” u shpreh Dumani.
Megjithatë, ai theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit ka edhe punonjës me integritet, me të cilët SPAK bashkëpunon rregullisht në hetimet e saj.
Lini një Përgjigje