Në 11 qershor të këtij viti, Gjykata e lartë prishi vendimin e Apelit për Dritan Dajtin, atë me 25 vite burg dhe la në fuqi vendimin ë shkallës së parë, me burgim të përjetshëm.
Lidhur me këtë avokati Alban Qafa në MCN Live shprehet se Dritan Dajti që ndodhet në burgun e Peqinit pretendon se dënimi i tij ka përfunduar me 4 korrik dhe ai duhet të ishte i lirë.
Ai tha se Dajti i ka bërë kërkesë autoriteteve të burgut për të konstatuar përfundimin e dënimit, duke mos njohur atë të gjykatës së lartë, pasi vendimi i apelit është i formës së prerë dhe në këto kushte autoritetet duhet të zbatojnë atë.
Sipas tij është shkelur kodi i procedurës i kanë hequr lirinë pa të drejtë ndërsa thekson se betejën ligjore do e vazhdojnë dhe në Strasburg.
“I jemi drejtuar gjykatës pasi është duke vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Nuk është se kemi kërkuar shfuqizim të vendimit por jemi në fazën e gjykimit të vendimit dhe nga dinamika ai ka kryer 24 vite e 8 muaj burg dhe në 4 korrik vendimi me 25 vite ishte i formës së prerë dhe Dajti duhet të ishte liruar.
Nuk kemi shkuar në gjykatë për kërkesë për lirim, por për të konstatuar që vendimi 11, 08 është përfunduar. Tani kemi një vendim të ri, vendimi i gjykatës së lartë ka një pretendim se s’mund të përfitojë gjykim të shkurtuar, por për këto vepra është e drejtë procedurale, për këto vepra s’mund të keq gjyq pa avokat.
Ne kemi kërkuar ndreqjen e vendimit të 11 qershorit të gjykatës së lartë ku kemi kërkuar të shprehet nëse vendimi është i formës së prerë apo jo, por ata nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje. Kjo është vendimmarrja e gjykatës së lartë për ndreqjen e vendimit të gabuar të 11 qershorit duke e lënë Dajtin në burgim të përjetshëm”, tha ai.
I pyetur lidhur me kërkesën e Dajtit për të qenë fizikisht në seancë por që nuk u lejua, Qafa tha se policët refuzojnë ta shoqërojnë në gjykatë me pretendimin se mund të arratiset.
“Me një shkresë të drejtorisë së burgjeve thuhet se nuk mund ta shoqërojnë sepse shërbimet e sigurisë kanë informacion se Dajti mund të arratiset, por si nuk kanë turp ta shkruajnë këtë.
Dajti kërkon të jetë i pranishëm në seancë, drejtoria e burgjeve refuzon ta shoqërojë i tremben një arratisje. Ajo që mund atë them është se ne do vazhdojmë betejën ligjore në gjykata, janë përcaktuar gjykatat që kanë juridiksionin e çështjeve të shkallës së parë, pastaj do shkojmë dhe në Strasburgu sepse duam të dimë se pse Dajti po qëndron në burg pas datës 4 korrik. I kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme, është shkelur kodi i procedurës”, tha avokati.
Lini një Përgjigje