SPAK do të marrë në pyetje gruan dhe xhaxhain e Aleks Nikës më 22 korrik, dy ditë pasi njoftoi nisjen e hetimeve për 21 Janarin ku mbetën të vrarë 4 veta në Bulevard përpara Kryeministrisë.
Prokuroria e Posaçme do të thërrasë për t’u pyetur xhaxhain dhe bashkëshorten e Aleks Nikës të mbetur të vrarë në Bulevard gjatë protestës së opozitës së asaj kohe kundër qeverisë Berisha.
Mark dhe Rajmonda Nika do të pyeten nga prokurorët, teksa më herët Mark Nika ka lajmëruar se tashmë që nisin hetimet nga SPAK do të dorëzojë edhe një audiokasetë me prova sipas tij të vrasjes shtetërore.
SPAK priste vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë për të regjistruar kallëzimin e Rajmonda Nikës e cila kërkon që ish-kryeministri Sali Berisha, ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi të hetohen si organizatorë të “21 janarit”.
Rajmonda Nika bashkëshortja e Aleks Nikës trokiti një vit më parë në SPAK duke kërkuar angazhimin e prokurorëve të posaçëm në një kohë që prej 13 vitesh vijojnë të pazbardhur dy vrasje, ajo e Nikës dhe e Hekuran Dedës.
Për 21 janarin drejtësia ka shpallur fajtor Ndrea Prendin dhe Agim Llupon si autorë të vrasjes së Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj. Nga ana tjetër Strasburgu ka urdhëruar gjithashtu hetime të gjithanshme të “21 janarit”.
Dy ditë më parë, Prokuroria e Posaçme tha se ka regjistruar procedimin dhe ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e 3 protestuesve në 21 janar 2011.
Përmes një njoftimi për mediat SPAK bën me dije se po heton për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim; “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
“Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posacme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika, si dhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.Në rastin konkret hetimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 79, gërmat “dh” dhe “ë” e 25, 248 e 25, si dhe 301 e 25 të Kodit Penal, është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit 75/a, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Lini një Përgjigje