
Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca gjyqësore për masakrën e Gërdecit.
Burime bëjnë me dije se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk është paraqitur në seancë, ndërsa mungon edhe avokati i tij mbrojtës Ardian Visha. I pranishëm është vetëm avokati Henrik Ligori.
Prokurori Klodian Braho kërkoi që të vazhdojë seanca në mungesë të Mediut, ndërsa kërkesa u pranua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila vendosi që ish-ministri të mbrohet vetëm nga avokati Ligori.
Gjykata relaton që në sekretarinë e gjykatës janë paraqitur pyetjet me shkrim për ekspertët. Në total 113 pyetje janë paraqitur nga mbrojtja e Mediut, ndërkohë në seancë nuk është paraqitur një nga ekspertët. Eksperti Ymer Stafa ka njoftuar gjykatën se mungon për arsye shëndetësore.
Prokurori Klodian Braho dhe avokati Ligori kanë kërkuar praninë e ekspertit që mungon.
Prokurori Klodian Braho: Nuk ka raport mjekësor për ekspertin që mungon dhe gjendja e tij shëndetësore nuk e pengon që të jetë në seancë. Eksperti të thirret në gjykatë dhe të jap mendimin e tij. Ekspertët të marrin edhe pyetjet e reja dhe të formulojnë një dokument të vetëm. Të kemi edhe ne një kopje të pyetjeve që të jemi të përgatitur në seancë. Ekspertët të marrin kohën e nevojshme.
Henrik Ligori: Është e domosdoshme prania e ekspertit të 5, duhet të gjithë për tu përgjigjur. Të marrin kohën e nevojshme që të realizohet përgjigjja e të gjithëve.
Kujtojmë që seanca e 10 korrikut u ndërpre pas debateve në sallë për natyrën e pyetjeve nga avokati i Fatmir Mediut. Ardian Visha debatoi me gjyqtaren Irena Gjoka për presion ndaj ekspertëve dhe gjyqtarja urdhëroi nxjerrjen e tij jashtë sallës.
Lini një Përgjigje