TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Dhjetor 2025, 11:01

Drejtësia e Rrumpallave: Mandati i BKH mbaron në 2031, ndërsa SPAK në 2029

Shkruar nga Pamfleti

 

Drejtësia e Rrumpallave: Mandati i BKH mbaron në 2031, ndërsa
Mirela Bogdani dhe Altin Dumani /

Mandatet nuk përputhen dhe struktura e posaçme rrezikon të mbetet pa organin prokurorial që e drejton, duke krijuar boshllëk të paprecedentë në arkitekturën e drejtësisë...

Altin Dumani, Mirela Bogdani dhe kupola politike kanë shtyrë procesin 3 muaj e gjysmë për të finalizuar marrëveshjen e emrit, ndërsa mandati i ri i BKH bie në konflikt me ekzistencën e vetë SPAK-ut

Pas tre muaj e gjysmë zvarritje, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, dhe krerët politikë e oligarkia në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbyllur pazarin për emrin dhe emërimin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në njoftimin zyrtar të KLP, Mirela Bogdani bëri me dije se propozimi i SPAK për drejtuesin e BKH do të diskutohet dhe hidhet për votim në mbledhjen plenare të datës 9 dhjetor 2025. Njoftimi është formalisht i rregullt, por krijon një absurditet kushtetues lidhur me afatin që do të ketë drejtori i ri i BKH në raport me mandatin e SPAK.

Drejtësia e Rrumpallave: Mandati i BKH mbaron në 2031, ndërsa

Sipas paketës shtesë të Kushtetutës për organizimin e organeve të posaçme të drejtësisë, SPAK-ut i kanë mbetur edhe tre vite mandat. Nëse Parlamenti nuk ia zgjat mandatin, SPAK ndërpret veprimtarinë si prokurori e posaçme. Ndërsa drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të emërohet për pesë vjet, pra dy vjet më shumë se mandati i mbetur i SPAK-ut, megjithëse këto janë dy pjesë të një strukture të vetme që kanë të njëjtën detyrë: hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në dhjetor 2029 përfundon mandati 9-vjeçar i SPAK-ut. Ndërsa BKH ka mandat deri në dhjetor 2031, duke krijuar situatën absurde ku vetëm gjysma e strukturës së posaçme mbetet në aktivitet.

Në vartësi të kujt do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit kur SPAK të mos ekzistojë? Si do të hetojë dhe çfarë do të hetojë? Kush do të nënshkruajë autorizimet dhe kush do të përfaqësojë funksionin prokurorial?

Nisur nga realiteti i politikës shqiptare, ku pushteti shkel Kushtetutën sipas interesave të veta, nuk përjashtohet që Byroja Kombëtare e Hetimit të pushojë së funksionuari së bashku me SPAK-un. Ky sinjal ka ardhur tashmë nga Edi Rama dhe Sali Berisha, si subjekte hetimi bashkë me familjarët dhe klanet e tyre, të cilët shfaqin interes të drejtpërdrejtë për dobësimin e strukturave të posaçme.

Procesi i emërimit të drejtorit të BKH nuk është zvarritur nga mungesa e dokumenteve apo procedurave, por nga pazari politik dhe koordinimi i interesave mbi kontrollin e hetimeve. Ditën që KLP votoi datën 9 dhjetor, ishte e qartë se pazari kishte përfunduar. E paqartë mbetet vetëm e ardhmja e BKH në një arkitekturë drejtësie ku SPAK mund të mos ekzistojë më./Pamfleti

bogdani dumani drejtësia e rrumpallave

Lini një Përgjigje