TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Dhjetor 2025, 08:35

Kreu i ri i SPAK, gara mes presioneve të brendshme dhe diplomatike

Shkruar nga Pamfleti

Kreu i ri i SPAK, gara mes presioneve të brendshme dhe diplomatike

Kemi lëvizjet e diplomatëve, të dërguarve të posaçëm ose jo, që hera herës shfaqen në dyert e SPAK. Ndonëse qëllimi i tyre është stabiliteti dhe forcimi i drejtësisë, shpesh ndërhyrjet e tyre krijojnë varësi dhe perceptim se SPAK është më shumë i orientuar nga ambasadat apo diplomatët

Këtë javë, më 11 dhjetor, KLP do të vendosë se kush do të jetë kreu i ri i SPAK, ndërsa mandati i Altin Dumanit si drejtues përfundon më 18 dhjetor.

Në garën për kreun e ri të Prokurorisë Speciale janë 4 prokurorë, ndërsa referuar mandatit 9 vjeçar që ka ky institucion, ku 3-vjeçar do të jetë i fundit sa i takon veprimtarisë së SPAK.

Në garën për kreun e SPAK janë Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj, që të gjithë pjesë e strukturës që ka për detyrë të hetojë korrupsionin në nivelet e larta dhe krimin e organizuar.

Për vetë specifikën që ka ky institucion, duket se zgjedhja e kreut të ri të SPAK është kthyer nga një proces administrativ dhe profesional, në një arenë presionesh, manipulimesh të opinionit publik dhe tentativash për të orientuar drejtimin e institucionit. Kjo ndodhi edhe me garën ku fitues u shpall Altin Dumani 3 vite më parë, ku mes presionit politik dhe atij ndërkombëtar, këta të fundit arritën të zgjidhnin të preferuarin e tyre.

E ndërsa në zgjedhjet e këtij mandati të ri që nis pas 18 dhjetorit, nuk kemi ato shfaqje që u vunë re 3 vite më parë, teksa diplomatë ‘përvishnin mëngët’ dhe mbanin shënime, këtë rradhë duket se gjithçka po bëhet më e kamufluar.

Ajo që është e sigurtë është fakti se politika nuk ka hequr dorë nga tendenca për të orientuar proceset kyçe të drejtësisë.

Edhe kur mungojnë ndërhyrjet e drejtpërdrejta, retorika publike dhe komentet politike, krijojnë një presion të qartë mbi organet vendimmarrëse.

Fakti që çdo zgjedhje brenda SPAK komentohet politikisht është një simptomë e kapjes.

Në anën tjetër, segmentet e fuqishme ekonomike dhe rrjetet e lidhura me krimin e organizuar, përmes ndërmjetësve politikë, apo përmes presioneve indirekte, kërkojnë të ndikojnë në garë, duke synuan një drejtues që nuk prek interesat e tyre.

Po kështu kemi lëvizjet e diplomatëve, të dërguarve të posaçëm ose jo, që hera herës shfaqen në dyert e SPAK. Ndonëse qëllimi i tyre është stabiliteti dhe forcimi i drejtësisë, shpesh ndërhyrjet e tyre krijojnë varësi dhe perceptim se SPAK është më shumë i orientuar nga ambasadat apo diplomatët. Dhe në jo pak raste një foto e përzgjedhur, që më pas shpërndahet me shpejtësi, "shitet" me idenë se ai është i preferuari i ndërkombëtarëve, duke manipuluar kështu jo thjesht opinionin, por edhe garën. 

Kjo ka krijuar edhe ideë se çdo drejtues duhet të ketë miratimin e aktorëve të jashtëm, ndërsa politika fshihet pas qëndrimeve të partnerëve, duke shmangur përgjegjësinë.

Në këto kushte duket se edhe kjo garë për kreun e fundit të SPAK, bazuar në mandatin që ky institucion ka, nuk do të kalojë pa presionin dhe zhurmën, ndoshta më e moderuar se ajo e 3 viteve më parë.

Bazuar në rregulloren e KLP-së, kreu i ri i SPAK zgjidhet ai që merr më shumë vota, ndërsa e rëndësishme është që në mbledhje të jenë numri i nevojshëm i anëtarëve, 7 të tillë, që përbëjnë edhe kuorumin.

Kjo do të thotë se pavarësisht sa vota mund të marrë një prej kandidatëve në garë, mjafton që ai të marrë më shumë se të tjerët dhe do të marrë drejtimin.

Dhe mënyra se si do të menaxhohet ky proces të paktën do të tregojë forcën e institucioneve të rejatë drejtësisë, por edhe do të përcaktojë drejtimin në të cilin do të lëvizë SPAK vendi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje