
Kreu demokrat Sali Berisha është paraqitur në SPAK, në respekt të masës së sigurisë detyrim paraqitje, lidhur me aferën ‘Partizani’.
Ish-kryeministri Sali Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave.
Ndërkohë, për dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, financiere në kompaninë “Homeplan”, prokuroria ka ngritur akuza për përfshirje në skema të pastrimit të parave.
SPAK ka kaluar për gjykim në GJKKO dosjen ‘Partizani’, ndërsa seanca e rradhës pritet të zhvillohet sot.
Në seancën e kaluar, avokatët e Berishës dhe Malltezit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese me argumentin se duan të gjykohen nga një gjykatë e paanshme, pasi sipas tyre, GJKKO është nën kontrollin e SPAK. Sipas tyre, të gjithë gjyqtarët e GJKKO janë të shantazhueshëm.
Por kjo kërkesë u rrëzua nga GJKKO. Më herët edhe relatores së trupit gjykues Elsa Ulliri iu refuzua kërkesa për dorëheqje nga çështja nga zv/kryetari i gjykatës. Gjyqtarja kërkoi dorëheqjen me arsyetimin se ka kushërirë demokraten Andia Ulliri.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u zvarrit për 7 muaj në seancë paraprake.
Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Lini një Përgjigje