TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Tetor 2023, 19:13

Dorian Duçka i dosjes “McGonigal” 4 orë dëshmi në SPAK, këshilltari i Ramës “kyç” gojën para mediave

Shkruar nga Pamfleti
Dorian Duçka i dosjes “McGonigal” 4 orë dëshmi
Dorian Duçka duke dalë nga SPAK

Edhe pse Duçka “kyçi” gojën, dyshimet janë se SPAK ka hapur dosjen “McGonigal”, duke lënë pa gjumë kryeministrin Edi Rama.

Dorian Duçka është larguar pas 4 orësh nga Prokuroria e Posaçme.

Personazhi i dosjes “McGonigal” është marrë sot në pyetje nga SPAK, teksa ka preferuar të mos tregojë arsyen që ishte paraqitur aty. Ai hyri në SPAK në orën 15.00 dhe u largua në orën 19.00.

I pyetur nëse prokurorët kërkuan dëshminë e tij për dosjen “McGonigal” ai tha: “Mund të pyesin Departamentit e Drejtësisë në Amerikë”. Po ashtu mohoi të jetë pyetur për dosjen e CEZ, duke qenë se ka qenë zv/ministër në atë kohë.

Edhe pse Duçka “kyçi” gojën, dyshimet janë se SPAK ka hapur dosjen “McGonigal”, duke lënë pa gjumë kryeministrin Edi Rama. Duçka është këshilltar i tij dhe vetë kryeministri e ka pranuar, teksa emri i tij del në dosjen e FBI ku janë pagur 250 mijë dollar për Charles McGonigal.  Vetë Altin Dumani pak ditë më parë pati një takim informal me gazetarët dhe dha sinjale se do ketë zhvillime për këtë dosje.

Sa i takon skandalit “McGonigal”, ish-agjenti i FBI ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave. Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me Dorian Duçkën (Personi A) me kërkesë të Agron Nezës (Personi B), ai i bëri thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë.

Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”. Akt-padia vendos një lidhje të drejtpërdrejtë të takimeve të ish zyrtarit të FBI-së me kryeministrin shqiptar në prani të personave të tretë A dhe B, që ishin shtetas privatë. Është e paqartë se përse kryeministri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.


Ndërkohë më 22 shtator, Charles McGonigal pranoi fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumenteve në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

Çdo pikë e aktpadisë përmban disa akuza.

Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk do të shkojë në gjyq. Kjo gjithashtu do të thotë që nuk do të bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje.

Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal.

Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.

“Përpara se të largohesha nga FBI në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin”, tha ai në gjykatë duke iu referuar kontakteve me qeverinë e Shqipërisë.

Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.

Zoti McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të zotit Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.

I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

ducka mcgonigal

Lini një Përgjigje