Gazetari Ervin Dushi ka denoncuar se është dhunuar mbrëmjen e sotme në Shkodër nga disa persona, në një ngjarje që sipas tij lidhet me aktivitetin e tij publik dhe një denoncim të bërë më herët.
Sipas deklarimeve të gazetarit, incidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, ndërsa autor i dhunës dyshohet të jetë shtetasi Prek Gjoni, i njohur si pronari i rrjetit të marketeve “Xhedis”, së bashku me disa persona të tjerë që ndodheshin me të.
Dushi pretendon se konflikti lidhet me një denoncim të bërë prej tij disa kohë më parë në mbështetje të një punonjëseje të marketit, e cila kishte pasur mosmarrëveshje me pronarin e kompanisë.
Pas ngjarjes, gazetari është paraqitur në Policinë e Shkodrës ku ka bërë kallëzim penal për dhunën e ushtruar ndaj tij.
“Çështjen do të vijoj ta ndjek përmes institucioneve”, mësohet të ketë deklaruar Dushi pas denoncimit në polici.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga policia lidhur me rrethanat e incidentit apo personat e përfshirë në ngjarje, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin dinamikën e plotë të konfliktit.
Lini një Përgjigje