Nuk kanë fund skandalet në shëndetësinë shqiptare. Një video tronditëse e publikuar së fundmi ka nxjerrë në pah një tjetër rast të rëndë të keqtrajtimit të pacientëve brenda sistemit publik shëndetësor, këtë herë në repartin e Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Pamjet, të publikuara fillimisht nga JOQ Albania, tregojnë një paciente të shtruar në repartin e psikiatrisë, e cila refuzon të marrë medikamentet duke pretenduar se është shtatzënë. Në vend të një reagimi profesional dhe qetësues, në video dëgjohet një punonjëse shëndetësore që i drejtohet pacientes me tone fyese dhe kërcënuese.
“Ik se po të sh****j robt!”, dëgjohet të thotë infermierja në video, në një komunikim që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
View this post on Instagram
Por denoncimi nuk ndalet vetëm te gjuha fyese. Sipas personit që ka publikuar rastin, pacientëve në repart u jepen medikamente edhe nën presion, ndërsa në disa raste pretendohet se përdoret forcë fizike për administrimin e tyre.
Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, rasti ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e trajtimit të pacientëve të shëndetit mendor në institucionet publike dhe mbi kontrollin e standardeve etike brenda spitaleve.
Ngjarja konsiderohet edhe më e rëndë për shkak se bëhet fjalë për pacientë në gjendje të brishtë psikologjike, të cilët teorikisht duhet të trajtohen me kujdes maksimal, durim dhe profesionalizëm.
Pas publikimit të videos, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” reagoi zyrtarisht, duke e cilësuar rastin si një “cenim të papranueshëm të etikës profesionale”.
Në reagimin e saj, QSUT bëri të ditur se punonjësja e përfshirë është identifikuar dhe se kanë nisur procedurat për masa administrative dhe disiplinore.
Reagimi i QSUT
QSUT ka ndjekur me shqetësim videon e publikuar në mediat online, ku shfaqet një rast i papranueshëm i cenimit të etikës profesionale në një prej shërbimeve mjekësore.
Menjëherë pas verifikimeve të kryera, është identifikuar punonjësja e përfshirë dhe janë nisur procedurat për marrjen e masave administrative dhe disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
QSUT mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar kujdes shëndetësor dinjitoz, profesional dhe etik për çdo pacient që paraqitet në shërbimet tona. Çdo shkelje e kodit të etikës, çdo sjellje që cenon dinjitetin e pacientit apo besimin ndaj shërbimit shëndetësor, është dhe do të mbetet e patolerueshme.
Lini një Përgjigje