
Pas procedimit të SPAK, prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim në lidhje me kaosin e shkaktuar ditën e sotme në kampin e muxhahedinëve në Manëz.
Mësohet se prokurori i Durrësit Sokol Nishani po heton lidhur me pretendimet e muxhahedinëve për dhunë nga ana e policisë. Gjithashtu prokuroria bën me dije se po hetohen edhe pretendimet e policisë për dhunë të ushtruar nga ana e muxhahedinëve. Sakaq, pritet që të merren në pyetje dhe shumë persona në lidhje me këtë ngjarje.
Ndërkohë që drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për median tha se janë identifikuar personat e përfshirë në sulmin ndaj policisë. Më tej ai shtoi se do të firmosen urdhërndalime për ata që ushtruan dhunë dhe drejtuesit e kampit që nuk bashkëpunuan.
Ndërsa Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e ka quajtur të papranueshme dhunën dhe rezistencën e tyre ndaj policisë së shtetit. Në një konferencë për shtyp lidhur me rastin, Çuçi shtoi se anëtarët e MEK janë marrë përsipër nga shteti shqiptar vetëm për tu strehuar dhe se nuk ju lejohet të kryejnë organizime politike.
Lini një Përgjigje