TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Qershor 2023, 18:12

SHBA rikthen “non gratat” në Ballkan, fut në listën e zezë politikanin shqiptar në Strugë

Shkruar nga Pamfleti
SHBA rikthen “non gratat” në Ballkan, fut në listën e
Ramiz Merko dhe godina e DASH

Departamenti Amerikan i Shtetit ka rikthyer “non gratat” në Ballkan. Pas goditjes ndaj Gruevskit, Berishës dhe disa funksionarëve në Bosnje, SHBA ka dërguar një tjetër sinjal se lista e zezë është shumë më e gjatë.

DASH ka shpallur sot të padëshiruar Ramiz Merkon, kryetarin e Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut. Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Veprimi i sotëm dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Po ashtu bashkë me të, hyrja në SHBA u ndalohet dhe anëtarëve të tij të familjes.

Ramiz Merko ka lindur më 12 Prill 1957 në Strugë. Ai është një politikan shqiptar i Maqedonisë në radhët e BDI-së. Merko ka qenë kryetari i komunës së Strugës gjatë periudhës 2005-2013 dhe ka qenë deputet në Asamblenë e Republikës së Maqedonisë gjatë periudhës 2014-2016.

Në 2017, ai u zgjodh ministër pa portofol në qeverinë e Zoran Zaevit si dhe në të njëjtën kohë shërbeu si president i degës së BDI-së në Strugë.

Në zgjedhjet lokale të 2017-ës, ai mposhti kundërshtarin e tij nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selën, duke u bërë kryebashkiak i Strugës për herë të tretë.

Shpallja e tij “non grata” është një kambanë alarmi për politikanët e Ballkanit. DASH e ka deklaruar disa herë se do të ketë shumë persona që do të sanksionohen, përfshirë dhe Shqipërinë. Fakti që DASH ka shkuar deri të krerët e komunave në Maqedoni, në Shqipëri është e sigurt se do ketë nivele shumë më të larta.

 

struge dash

Lini një Përgjigje