Mediu ka thirrur 90 dëshmitarë dhe për sa kohë ai është i lirë, shumë prej tyre mund të manipulohen. Mediu mund të ndërhyjë tek ata dhe t’i bindë që të dëshmojë në favor të tij...
Prokuroria e Posaçme vijon të veprojë me dy standarde. SPAK kërkoi masë arresti për Arben Ahmetajn dhe po ashtu arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë për aferën me sterilizimin, ndërkohë emra si Ilir Beqaj apo Fatmir Mediu janë lënë të lirë. Teksa Beqaj është ende në hetim, rasti i Mediut është akoma më flagrant.
Ai po gjykohet për tragjedinë e Gërdecit dhe skandali është se e ndjek gjyqin nga televizori, pasi SPAK nuk ka kërkuar asnjë masë arresti ndaj tij. Nisur nga kjo, të premten ai hodhi një tjetër hap për zvarritjen e gjyqit të tij. Mediu hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar duke nisur një proces të rregullt ligjor. Mediu kërkoi nga gjykata që të thirren mbi 90 dëshmitarë, përfshirë ish-ministra dhe funksionarë të ndryshëm.
Por duke qenë se tani procesi gjyqësor ka ndryshuar, atëherë lind pyetja: A do të marrë ndonjë masë SPAK që të mos ketë më zvarritje? A e dinë prokurorët se dëshmitarët dhe faktet mund të manipulohen? Me pak fjalë, a do të kërkojë SPAK masë arresti për Mediun?
Një ndër arsyet kryesore kur kërkohet një masë e tillë është kur personi rrezikon të arratiset dhe po ashtu mund të prishë provat dhe manipulojë dëshmitarët. Mediu ka thirrur 90 dëshmitarë dhe për sa kohë ai është i lirë, shumë prej tyre mund të manipulohen. Mediu mund të ndërhyjë tek ata dhe t’i bindë që të dëshmojë në favor të tij. Një pjesë të madhe i ka pasur edhe ish-kolegë.
SPAK nuk mund të ecë me dy standarde, pasi duket qartë se Mediu po tenton ta zvarrisë pa fund këtë proces dhe duhen marrë masa. Po ashtu është absurde që një ish-ministër i akuzuar për një tragjedi si ajo e Gërdecit, ta ndjekë procesin nga zyra dhe televizori, ose aq më keq të bëjë udhëtime jashtë vendit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje