TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Shtator 2023, 11:08

"Gërdeci"/ Fatmir Mediu kërkon të thirren 90 dëshmitarë; mes tyre ish-zyrtarë të lartë të DASH dhe 3 ish-ministra

Shkruar nga Pamfleti
"Gërdeci"/ Fatmir Mediu kërkon të thirren 90
Fatmir Mediu

Mbrojtja e ish-ministrit Fatmir Mediut ka kërkuar që të thirren në gjyq rreth 90 dëshmitarë për tragjedinë e Gërdecit.

Ditën e sotme po zhvillohet seanca për tragjedinë e Gërdecit. Mbrojtja e ish-ministrit Fatmir Mediut ka kërkuar që në seancë të jenë të pranishëm rreth 90 dëshmitarë.

Mes tyre, Mediu kërkon që të jenë të pranishëm dëshmitarë ish-zyrtarë të lartë të Mbrojtjes së SHBA, ish-ministrat e Mbrojtjes së Italisë, Gjermanisë e Maqedonisë. 

Por përveç emrave të zyrtarëve të huaj, Mediu ka kërkuar që të dëshmojmë edhe ish-ministrave shqiptarë, mes tyre Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Besnik Mustafajit, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Besnik Bare, si gjeneralë dhe ekspertë të Forcave të Armatosura apo dhe ish-drejtorin e SHIK.

Gjykata është tërhequr në dhome këshillimi nesë do pranojë apo jo gjykimin e zakonshëm që kërkuan avokatët e Fatmir Mediut.

Po ashtu, Mediu kërkon të kryhet eksperiment për shpërthimin që ndodhi vite më parë. 

Në seancën e fundit avokatët e ish-ministrit kërkuan heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar, por gjykata u shpreh se këtë kërkesë ka të drejtë ta bëjë vetëm i pandehuri.

Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu. 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008.

SPAK ka dërguar për gjykim ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

fatmir mediu gërdeci spak

Lini një Përgjigje