TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Janar 2026, 10:21

Dëbora nxjerr jashtë funksionit rrjetin, mbi 1100 familje mbeten pa energji në juglindje

Shkruar nga Pamfleti
Dëbora nxjerr jashtë funksionit rrjetin, mbi 1100 familje mbeten pa
Dëbora nxjerr jashtë funksionit rrjetin, mbi 1100 familje mbeten pa energji në juglindje

Reshjet intensive të dëborës kanë sjellë ndërprerje të shumta të energjisë elektrike në disa zona të juglindjes së vendit. Të dhënat e Dispeçerisë Rajonale Korçë tregojnë se një numër fiderësh janë stakuar për shkak të defekteve teknike, duke lënë pa furnizim me energji një numër të lartë abonentësh, kryesisht në zonat rurale.

Probleme janë shfaqur në fidërin Cërrvenakë të nënstacionit Gur i Kuq, i cili ka dalë jashtë funksionit për shkak defekti. Ndërkohë, fidëri 4 i nënstacionit Lozhan funksionon pjesërisht, duke shkaktuar ndërprerje për 55 abonentë ruralë në zonat Zerec, Kopesh, Dushar dhe Dobërcan. Pa energji ka mbetur edhe fidëri 9 i këtij nënstacioni, ku rreth 400 abonentë në Zvarisht, Tresovë dhe Dolan janë prekur nga ndërprerja.

Ndërprerje janë raportuar edhe në fidërin komunal 3 të nënstacionit Maliq, që furnizon zonat Dardushë, Nicë dhe Sterkanj, me rreth 80 familje pa energji. Situatë e ngjashme paraqitet në nënstacionin Leskovik, ku fidëri JO6 ka lënë pa furnizim zonat Gjyrakare, Postenan dhe Peshtan, ndërsa në nënstacionin Ersekë, fidëri 3 ka ndërprerë energjinë për 50 abonentë ruralë në Kamnik, Piskal, Ndërmarrje, Shijan dhe Kaduc.

Probleme janë evidentuar edhe në Vithkuq, ku fidëri i nënstacionit Rehovë është pjesërisht jashtë funksionit, duke prekur rreth 250 abonentë në zonën Lekas. Pa energji mbetet gjithashtu fidëri komunal Tulla (Pasurim) në nënstacionin Maliq, që furnizon Kolanecin dhe fshatin Maliq, me rreth 300 abonentë ruralë. Për shkak defektesh teknike janë stakuar edhe fidëri i fshatit Rehovë, fidëri Potgozhan i nënstacionit Gur i Kuq, si dhe fidëri 4 i nënstacioneve Mollas dhe Bilisht.

Në total, 1143 familje rezultojnë aktualisht pa energji elektrike në qarkun e Korçës dhe zonat përreth. Në pjesën më të madhe të këtyre zonave, rrjeti elektrik mbetet i amortizuar, çka e përkeqëson situatën gjatë kushteve të motit të keq.

1100 familje energji juglindje debora

Lini një Përgjigje