
DASH ka dhuruar kompjuter dhe laptop për laboratorin mjeko-ligjor...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbeten aleti kyç i Prokurorisë së Posaçme. Largimi për 2 muaj i ekspertëve që asistojnë prokurorët specialë ngazëlleu politikën, por festa zgjati fare pak. Mirëpo SHBA nuk ofron vetëm asistencë teknike, pasi ka ndihmuar Prokurorinë e Posaçme edhe me pajisje.
Në raportin vjetor të SPAK bëhet me dije se gjatë vitit që lamë pas, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka dhuruar Prokurorisë së Posaçme një super-kompjuter për laboratorin e kriminologjisë. Bëhet fjalë për “Forensic Workstation - Talino KA-301”, me vlerë 3,598,221 lekë. Po ashtu ka dhuruar një laptop me vlerë 898,625 lekë.
“Gjatë vitit 2024, në kuadër të bashkëpunimit me ndërkombëtarët është mundësuar që institucionit tonë ti vijnë në ndihmë edhe asete të dhuruara prej tyre të cilat kanë kontribuar në përmirësimin e sistemeve dhe pajisjeve të IT. Konkretisht këtë vit kemi patur akt-dhurime nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Fondacioni Spanjoll “Internacional Y Para Iberoamerika de Administraciony Politicas Publicas””, shprehet SPAK.

“Talino KA-301” është një kompjuter për ekzaminime mjeko-ligjore. Vetë kompania që e prodhon shprehet se çdo sistem është projektuar me përpikëri nga ekspertë të fushës për mjekësinë ligjore dhe zbulimin elektronik. Pra falë këtij kompjuteri mund të zbërthehen celularë dhe shumë pajisje elektronike.
Por për këtë punë duhen padyshim dhe njerëz dhe SPAK ka marrë ekspertë nga Izraeli, të cilët mbahen si më të mirët në këtë fushë. Po ashtu janë kontraktuar dhe kompani izraelite.
Sipas SPAK, gjatë vitit 2024 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 400 vendime ekspertimi për 841 prova digjitale dhe konkretisht për 553 telefona celularë dhe tabletë, 110 kompjutera, 16 DVR dhe 162 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj.). /Pamfleti
Lini një Përgjigje