TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Prill 2026, 16:22

Bonus qiraje për familjet e prekura nga zjarri pranë QSUT dhe kompensim për transportin publik, Këshilli Bashkiak miraton vendimet!

Shkruar nga Pamfleti
Bonus qiraje për familjet e prekura nga zjarri pranë QSUT dhe
Këshilli Bashkiak i Tiranës

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar dy vendime të rëndësishme në kuadër të përballimit të situatave emergjente dhe krizës ekonomike, një skemë kompensimi për operatorët e transportit publik dhe një paketë ndihme financiare për familjet e prekura nga zjarri i 14 prillit në rrugën e Dibrës, pranë QSUT.

Vendimi i parë synon mbështetjen e shoqërive të transportit publik, të cilat janë prekur nga rritja e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Sipas projektvendimit operatorët do të përfitojnë 50 lekë për litër karburant. Masa do të zbatohet për muajt mars, prill dhe maj 2026. Kompensimi do të llogaritet mbi bazën e konsumit, pa tejkaluar nivelin e vitit 2025.

Sektori i transportit përbën rreth 98% të volumit të përgjithshëm në vend, me rreth 50 milion udhëtarë në vit, ndërsa rritja e kostove operacionale ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi operatorët dhe qytetarët.

Efekti financiar i kësaj mase parashikohet rreth 250 milion lekë, që do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe ai i Bashkisë së Tiranës.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe ndihmën financiare për familjet e dëmtuara nga zjarri që përfshiu një pallat pranë QSUT më 14 prill.

Vendimi parashikon ndihmë mujore prej 40 mijë lekësh për familjet e prekura/. Pagesa do të vijojë deri në sistemimin në banesa të rikonstruktuara.
Përfituesit duhet të paraqesin dokumentacion pranë njësive administrative, ndërsa autoritetet do të verifikojnë të dhënat dhe do të monitorojnë shpërndarjen e ndihmës çdo muaj. Në rast abuzimi, parashikohet kthimi i fondeve.

Kostoja do të përballohet nga buxheti i Bashkisë për vitin 2026, në kuadër të mbrojtjes civile.

këshilli bashkiak i tiranës vendime bonus qiraje trasporti publik

Lini një Përgjigje