
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar ditën e sotme takime me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Departamentin e Sigurisë Publike, zëvendësdrejtorët për Rendin në qarqe dhe shefat e Sektorëve të Qarkullimit Rrugor.
Hita ka kërkuar vëmendje të veçantë dhe angazhim nga të gjithë drejtuesit dhe efektivët, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e çdo akti abuziv në terren.
“Të mos ndalohen më automjetet në akset rrugore nacionale, pa shkak, por të përdoret teknologjia, poliskani, mjetet shpejtësimatëse dhe dronët, pasi teknologjia është e ardhmja. Masat administrative të prodhuara nga këto mjete duhet të hidhen në sistem brenda ditës”, tha ai.
Gjithashtu, Hita kërkoi kontroll rigoroz me grupe pune dhe plane masash në qendrat urbane, për parkimet e gabuara, manovrat e gabuara, zhurmat e gjeneruara nga marmitat e modifikuara, drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe për çdo shkelje që sjell trafik dhe rrezik për sigurinë e jetës së përdoruesve të rrugës. Disa pika të tjera për të cilat u dha porosi ishin sezoni turistik, siguria rrugore pranë shkollave dhe në shkolla.
Lini një Përgjigje