TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Shkurt 2026, 10:05

Bllokimi pafat i aksit Librazhd-Prrenjas, goditja më e rëndë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare

Shkruar nga Pamfleti
Bllokimi pafat i aksit Librazhd-Prrenjas, goditja më e rëndë
Bllokimi pafat i aksit Librazhd-Prrenjas

Konfederata e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria) ka reaguar për bllokimin prej pesë ditësh të aksit rrugor që lidh Librazhd me Prrenjas, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më të rënda për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.

Konfindustria thotë se ndërprerja e këtij segmenti strategjik rrezikon të shkaktojë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për ekonominë kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimin vendas

Ajo kërkon që qeveria dhe SPAK të ndërmarrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.

Në reagim theksohet se, nëse gjendja nuk zgjidhet shpejt, rrezikohen humbje të mëdha financiare, rritje kostosh për bizneset dhe pasoja të rënda deri në falimentime të mundshme.

"Konfindustria vlerëson, se shkatërrimi dhe mbyllja e rrugës kombëtare me Korçën, që përkon me gjurmën e Korridorit 8 si dhe problematikat e rënda në akset ndihmëse rrugore, tunele dhe ura, duke lënë pothuaj të shkëputur Juglindjen e vendit, është goditja më e rëndë në kohë paqe për ekonominë si dhe sigurinë kombëtare.

Konfindustria kërkon, që duke vlerësuar sa më sipër, Qeveria dhe SPAK duhet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe sa më të shpejta në kohë.

Ekonomia kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimi vendor, në rast të moszgjidhjes së shpejtë të gjëndjes, rrezikojnë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh me pasoja të rënda deri në falimentim. Qytetarët do të drejtohen për furnizime me ushqime dhe karburant në shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqi.

Goditja ekonomike- financiare është me pasoja edhe më të rënda, nëse vlerësohet, se rrezikohet në afatgjatë vetë pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve Lindje-Perëndim.

Sa më sipër zhvleftëson ndjeshëm pozicionin gjeostrategjik, si një prej pasurive më të mëdha të Shqipërisë, në favor të konkurentëve tregëtarë rajonalë me në krye Greqinë, përfshirë edhe detyrimet ndaj NATO-s.", thuhet në njoftim.

bllokimi pafat i aksit librazhd-prrenjas goditja më e rëndë për ekonominë sigurinë kombëtare

Lini një Përgjigje