
Nuk dihet se sa gjasa ka të implementohet një plan i tillë, por nëse ndodh, atëherë palestinezët e zhvendosur nga Gaza do i shtohen atyre të opozitës iraniane që janë akomoduar në Shqipëri, apo sirianëve dhe afganëve që u zhvendosën në Shqipëri në pritje të proçedurave për të udhëtuar drejt SHBA
Shqipëria mund të jetë streha e rreth 100 mijë banorëve të Gazës. Paralajmërimi vjen nga gazetari izraelit Amit Segal, i cili përmes një postimi në rrjetin X, referuar burimeve, shprehet se Shqipëria është një nga opsionet ku mund të strehohen këto refugjatë.
“Stacioni i radhës – Shqipëria? Administrata Trump është në bisedime me qeverinë në Tiranë për zhvendosjen e deri në 100,000 banorëve të Gazës në vend.
Burime izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë të strehojnë refugjatë dhe pretendojnë se opsione si Shqipëria dhe Indonezia janë më të realizueshme”, shkruan gazetari Amit Segal.
Njoftimi nga gazetari izraelit vjen në një kohë kur Donald Trump paralajmëroi banorët e Gazës se mund të largohen drejt Egjiptit ose vendeve të tjera.
The next stop - Albania?
— Amit Segal (@AmitSegal) January 27, 2025
The Trump administration is in talks with the government in Tirane about the migration of up to 100,000 Gazans to the country.
Israeli sources believe Egypt and Jordan will refuse to host refugees, and claim options like Albania and Indonesia are more…
Nuk dihet se sa gjasa ka të implementohet një plan i tillë, por nëse ndodh, atëherë palestinezët e zhvendosur nga Gaza do i shtohen atyre të opozitës iraniane që janë akomoduar në Shqipëri, apo sirianëve dhe afganëve që u zhvendosën në Shqipëri në pritje të proçedurave për të udhëtuar drejt SHBA. Më herët në Shqipëri u akomoduan edhe ujgurët. Së fundmi në Shqipëri po strehohen edhe emigrantët që kapen në ujrat territoriale të Italisë dhe që presin procedurat e azilit. Për këtë në Shqipëri është ndërtuar një kamp në Gjadër, në kuadër të marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit.
Një ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë palestinezët nga Gaza e shkatërruar nga lufta, një sugjerim që u hodh poshtë nga Hamasi, grupi militant palestinez që drejton rajonin dhe u duk se u kundërshtua nga ministri i Jashtëm jordanez.
I pyetur nëse kjo ishte një zgjidhje e përkohshme apo afatgjatë për Gazën, ku sulmi ushtarak i Izraelit ka shkaktuar një situatë të rëndë humanitare dhe vdekjen e dhjetëra mijëra personave, zoti Trump tha e: "mund të jetë secila prej këtyre mundësive".
Jordania është tashmë ‘shtëpia’ e disa milionë palestinezëve, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë jetojnë në Egjipt. Të dyja vendet dhe kombet e tjera arabe e kundërshtojnë idenë që palestinezët në Gazë të zhvendosen në shtetet e tyre. Gaza është territor që palestinezët do ta dëshironin si pjesë të një shteti të ardhshëm palestinez.
Ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich, i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për kthimin e kolonëve hebrenj në Gazë, e përshëndeti thirrjen e zotit Trump duke e cilësuar "një ide të shkëlqyer" dhe tha se ai do të punojë për të hartuar një plan për zbatimin e saj. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje