Bashkia Tiranë vendosi të ndalojë agjencitë mortore në godina banimi

Redaksia e Pamfletit mori një denoncim të detajuar nga një qytetar i Tiranës, i cili denoncoi një problem që ka kohë që rëndon mbi jetën e banorëve të kryeqytetit: shndërrimi i kateve të para të pallateve të banimit në shtëpi funerale. Qytetari përshkruante me detaje ndikimin e drejtpërdrejtë që këto biznese kanë në jetën e përditshme të komunitetit, duke përfshirë ndotjen akustike dhe mjedisore, trafikun e shtuar, shkeljen e etikës së bashkëjetesës dhe stresin psikologjik të përhershëm nga prania e arkivoleve dhe vajtimeve përballë dritareve të tyre.
Ky denoncim nuk qëndroi në heshtje. Brenda pak ditësh, Bashkia e Tiranës, përmes Këshillit Bashkiak, miratoi një vendim zyrtar për vendosjen e kritereve të reja dhe ndalimeve për shtëpitë funerale, ku theksohet se:
“Shtëpitë funerale nuk duhet të jenë në godina banimi dhe veprimtaria e ushtruar në to nuk duhet të jetë e dukshme për publikun.”
Vendimi i ri ndalon jo vetëm funksionimin e një shtëpie funerale në brendësi të një ndërtese banimi, por vendos dhe kufizime të qarta për rastet kur agjencitë kanë zyra administrative në këto godina. Sipas rregullores, nuk lejohet ekspozimi i arkivoleve, kurorave, apo materialeve të tjera, as në fasadë, as në ambientet e brendshme nëse janë të dukshme nga publiku.
Vendimi gjithashtu përcakton detyrime për inspektim teknik të ambienteve, numrin e punonjësve, kapacitetet për shërbime dhe parashikon revokimin e licencës në rast të shkeljeve të rregullores.
Çfarë denoncoi qytetari te “Pamfleti”?
Në mesazhin e plotë drejtuar redaksisë sonë, qytetari theksoi se:
Në disa pallate të Tiranës, kate të para janë shndërruar në shtëpi funerale pa leje konkrete;
Aktiviteti ushtrohet nën mbrojtjen e drejtuesve lokalë, në kundërshtim me vendimet ekzistuese që ndalojnë këtë veprimtari;
Prania e arkivoleve dhe vajtuesve përballë banesës përkeqëson gjendjen psikologjike të banorëve;
Makinat e agjencive funerale bllokojnë rrugët dhe hyrje-daljet e pallateve;
Gjeneratorët krijojnë ndotje akustike dhe ajrore;
Banorët humbasin vlerën e pronave të tyre dhe ndjehen të rrethuar nga një atmosferë e përhershme zie.
Denoncimi, i artikuluar me qartësi dhe pa retorikë, ngriti një problem që nuk trajtohej publikisht më parë: zaptimi emocional dhe fizik i hapësirave të banimit nga një industri që duhet të jetë e veçuar nga jeta e përditshme komunitare.
Vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës është një sinjal i qartë për ata që abuzojnë me boshllëqet ligjore dhe përfitojnë nga toleranca e institucioneve për të zhvilluar veprimtari që bien ndesh me interesin publik.
Në këtë rast, media investigative, përmes një denoncimi qytetar të verifikuar, ka detyruar autoritetet vendore të ndërhyjnë me akte konkrete. Në këtë rast, presioni publik nuk u përkthye në një konferencë shtypi apo premtime boshe, por në një vendim formal me efekte ligjore.
Sipas vendimit të publikuar nga Bashkia, të gjitha subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet duhet të përshtatin veprimtarinë e tyre brenda 6 muajve, përndryshe do t’u revokohet licenca. Mbetet për t’u parë nëse ky afat do të zbatohet dhe nëse inspektimet do të jenë reale apo fiktive.
Lini një Përgjigje