
Kreshnik Spahiu e quan të vonuar protestën e mbajtur ditën e djeshme në Prishtinë në mbështetje të 4 ish-liderëve të UÇK-së në Kosovë, (mes tyre edhe ish-presidenti Hashim Thaçi), të cilët akuzohen po gjykohen nga Tribunali i Hagës.
Ai shprehet se nuk e ka kuptuar kurrë urrejtjen që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka ndaj ish-liderëve të UÇK-së, përfshi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, si dhe ndaj SHBA-ve.
Spahiu tha se ndryshe nga e kaluara kur i akuzonte për korrupsion, tani bëhet fjalë për një çështje kombëtare ku kërkohet unifikim dhe për më tepër për një proces të padrejtë ndaj tyre, pasi janë burgosur në mënyrë të paligjshme.
“Ka një lëvizje pasive nga Lëvizja Vetëvendosje për liderët e UÇK. Akuzat në Hagë nuk janë për korrupsion, ka ndryshim nga akuzat që bën Vetëvendosja ndaj tyre për korrupsion, sepse ata janë për tjetër gjë. Janë për çështje kombëtare, si ish-luftëtarë të UÇK-së. S’e kam kuptuar kurrë urrejtjen e madhe të Vetëvendosjes ndaj liderëve të UÇK dhe SHBA-ve, që kishin të njëjtin qëllim, së bashku me NATO-n, për të çliruar Kosovën”, tha juristi Spahiu për “Report Tv”.
Spahiu theksoi se nëse ata janë të korruptuar, gjykimi nuk i takon Hagës, por organeve gjyqësore shqiptare, duke vënë në pah paradoksin e madh në qëndrimet politike të Vetëvendosjes.
“Nëse kanë qenë të korruptuar nuk duhet t’i gjykojë Haga apo Gjykata Speciale me selinë atje në Kosovë dhe që padrejtësisht i mban të burgosur. Duhet t’i gjykojnë gjykatat shqiptare”, u shpreh Spahiu.
Lini një Përgjigje