
Këshilli Bashkiak Tiranë ka miratuar së fundmi një vendim për kontrollin dhe licencimin e ‘Shtëpive Funerale’, ku janë caktuar rregulla strikte për kushtet që duhet të plotësojnë në mënyrë që të licencohet.
Kushti kryesor është vendi ku do të ushtrohet aktiviteti i një ‘Shtëpie Funerale’. Në rregullore saktësohet që nuk do të lejohet që një hapësirë e tillë të jetë në pallate banimi.
“Shtëpitë funerale nuk duhet të jenë në godina banimi dhe veprimtaria e ushtruar në to nuk duhet të jetë e dukshme për publikun”, thuhet në vendim.
Edhe nëse zyrat e shërbimit të agjencisë funerale do të jenë në një godinë të banuar, nuk do të lejohet tregtimi i materialeve në këto ambiente.
Në momentin që një subjekt aplikon për t'u licencuar për këtë aktivitet, Komisioni i Inspektimit të Kushteve Teknike, do të bëjë verifikimin e godinës ku do të ushtrohet aktiviteti dhe pasi të jenë plotësuar kushtet do të jepet licenca.
Po ashtu, në këtë rregullore janë specifikuar edhe një sërë kushtesh të tjera që duhet të plotësojnë subjektet që aplikojnë për këtë licencë, nga numri i punonjësve, te kapacitetet e godinës për të kryer ritualet e lamtumirës për qytetarët që kanë humbur jetën, e deri tek rastet kur do të revokohet licenca e këtij shërbimi.
Subjektet që e ushtrojnë këtë aktivitet, duhet të marrin masa që parashikimet e këtij vendimi, të zbatohen brenda 6 muajve.
Lini një Përgjigje