TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Korrik 2025, 17:03

Denoncimi te “Pamfleti”: Shtëpitë funerale në pallate po u marrin frymën banorëve të Tiranës!

Shkruar nga Pamfleti
Denoncimi te “Pamfleti”: Shtëpitë funerale në pallate
Foto ilustruese

Denonconi në mënyrë anonime te "Pamfleti" problemet që ju shqetësojnë, afera korrupsioni, skandale dhe gjithçka tjetër...

Një qytetar ka sjellë pranë redaksisë së “Pamfletit” një shqetësim serioz për shndërrimin e kateve të para të pallateve të banimit në shtëpi funerale, të cilat, sipas tij, po i kthejnë këto zona në ambiente të pajetueshme.

Denoncimi nënvizon se aktivitetet e tilla zhvillohen shpesh pa leje konkrete dhe me mbrojtjen e drejtuesve të bashkive, pavarësisht se ligji ndalon hapjen e bizneseve mortore në qendra të banuara.

Prania e arkivoleve dhe shërbimeve mortore përballë banesës, vajtues në gjendje të rënduar emocionale, bllokimi i hyrjeve nga makina, zhurma e pandërprerë dhe gjeneratorët që ndotin ajrin kanë shndërruar jetën tonë të përditshme në ankth. Kjo nuk është vetëm çështje estetike, por edhe shëndeti mendor e siguri për fëmijët dhe të moshuarit”, shkruan denoncuesi.

Sipas tij, ky fenomen sjell ulje të vlerës së pronave, krijon stres të vazhdueshëm te banorët dhe e shndërron një pallat banimi në një hapësirë biznesi që nuk përputhet me natyrën e komunitetit. “Ligji e ndalon këtë aktivitet pranë zonave të banuara, por në Tiranë këto biznese po lulëzojnë nën mbrojtjen e zyrtarëve. Dikush duhet të marrë masa”, përfundon qytetari në ankesën e tij.

"Pamfleti" ka hapur një rubrikë të posaçme, ku mund të denonconi çdo problematikë, aferë dhe gjithçka tjetër në mënyrë anonime. 

Denoncimi i plotë:

Hetoni ju lutem mbi shtëpitë funerale të ndërtuara kryesisht në katet e para të pallateve të banimit, të cilat janë kthyer në gangrenë dhe po u zënë frymën qytetarëve në jetën e përditshme.

Këto biznese po e ushtrojnë aktivitetin pa leje konkrete, nën mbrojtjen e kryetarëve të bashkive, pasi ky lloj aktiviteti nuk lejohet pranë qendrave të banuara, e aq më tepër brenda pallateve të banimit; ekziston një VKM e posaçme për këtë.

Po ju rendis problematikat që ky fenomen shkakton në jetën e qytetarëve:

-Ndikimi negativ në mirëqenie dhe shëndet mendor: Prania e vazhdueshme e arkivoleve dhe procedurave mortore, personave që vajtojnë përballë banesës, sjell një gjendje të rënduar emocionale, sidomos te fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga ankthi apo depresioni.

-Rrezik serioz për jetën dhe sigurinë nga parkimi i parregullt dhe trafiku i shtuar i automjeteve: Makina të shumta që vijnë për vizita dhe shërbime bllokojnë hyrje-daljet e banorëve, vendosen në mënyrë të parregullt në rrugë, trotuare apo hapësira për fëmijë, duke krijuar rrezik për aksidente dhe duke penguar lëvizjen e mjeteve të emergjencës.

-Mungesë etike dhe respekti për banorët: Pallati është një ambient jetese, jo biznesesh që lidhen me vdekjen. Prania e një agjencie të tillë bie ndesh me etikën dhe ndjeshmërinë sociale të një komuniteti banimi.
Humbje vlere të pronës: Prania e një biznesi të këtij lloji në një godinë banimi ul ndjeshëm vlerën e apartamenteve në treg dhe e bën më të vështirë shitjen apo dhënien me qira të tyre.

-Zhurma dhe aktivitet i papërshtatshëm: Aktivitetet e agjencisë mortore shoqërohen me lëvizje jashtë orareve normale, zhurmë nga ngarkimi-shkarkimi, përdorimi i gjeneratorëve brenda pallatit që shkakton ndotje me gaz asfiksues dhe prani të vazhdueshme njerëzish në gjendje të rënduar emocionale, duke prishur qetësinë e banorëve.

Denoncimi te “Pamfleti”: Shtëpitë funerale në pallate
Këtu mund të denonconi gjithçka

Lini një Përgjigje