
Skenat e dhunës së dy ditëve më parë në Krujë, por dhe manovrat më pas të policisë janë një dëshmi e qartë se si fisi Rraja ka bërë zap të gjithë zonën.
Dy kushërinjtë Bilbil Maja dhe Jashar Maja u dhunuan të enjten barbarisht nga disa anëtarë të fisit Rraja për shkak se u ankuan se gurorja në pronësi të kushëririt të deputetit të PS, Rrahman Rraja po u dëmtonte banesat.
Policia njoftoi se shoqëroi 8 persona dhe arrestoi 4 prej tyre Ineidi Rrajën 23 vjeç, Eni Kullajn 27 vjeç, Kujtim Përdakun 57 vjeç dhe Andi Rrajën 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Ndërkohë policisë "i kanë ikur nga duart" vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, Xhelal Rraja, 65 vjeç dhe Flamur Rraja, 55 vjeç. Skandali tjetër është se djalli i deputetit nuk figuronte askund në deklaratën e policisë. Vetëm dje kjo e fundit tha se ka shpallur në kërkim Rexhep Rrajën. Por edhe pse kanë kaluar dy ditë nga ngjarja shokuese, si vëllezërit e Rrajës ashtu dhe djali i tij nuk gjenden nga policia. Për të arrestuar ata që nuk paguajnë dritat policia është e para ndërsa për të gjetur djalin dhe vëllezërit e deputetit efektivët "zhduken". Vetëm sot ministri Çuçi ka shkuar në Drejtorinë e Policisë ku është takuar me drejtorin Rrumbullaku për të folur për këtë situatë.
Skandali tjetër është se i gjithë fshati është nën terror. Banorët kanë folur sot në media se kërcënohen nga fisi Rraja.
“Shteti fle gjumë, kemi kërkuar si banorë, kam thënë edhe para një muaji që shteti të marrë masa. S’kemi punë as me fisin Rraja, as me askënd, duam shtëpitë tona që i kemi bërë me djersë. I kemi kërkuar shtetit që t'i dëmtojë për momentin dhe të shohin kriteret e përplasjes së minave. Nuk është problemi për një gurore. Nga neglizhenca e shtetit, ka për tu ngrit fisi tjetër me u vra me ta. Kemi bërë 40 denoncime, tek komisariati i Fushë Krujës, kemi bërë takimin me kreun e degës dhe na ka thënë po bllokuat guroret jeni të gjithë në burg.
Kryetari i degës na thoshte që iu vë prangat për gjysmë ore. Fillon vëlla vrasja. Kemi bërë protesta pak më herët, jemi zënë, shpërndajnë ryshfete, për atë është përçarë protesta. Problemi është të marrë masa shteti. Ta bllokojë përkohësisht, për turpin e dy djemve”, tha një banor.
Lini një Përgjigje