
Ditën që në Tiranë mbahej gjyqi në Tiranë, Fatmir Mediu ka qenë në Itali duke pushuar dhe duke zhvilluar takime...
Fatmir Mediu vijon të jetë i paprekshëm për tragjedinë e Gërdecit. Edhe pse u duk sikur SPAK kopsiti dosjen dhe ish-ministri i Mbrojtjes do të jepte llogari për vdekjen e 26 personave, gjyqi ka hyrë në disa llogore të pafundme. SPAK dhe GJKKO po tregohen të pafuqishme përballë Mediut, i cili padyshim ka përgjegjësinë direkte për atë që ndodhi në vitin 2008 në Gërdec.
Në shkurt të këtij viti, SPAK e dërgoi për gjykim ish-ministrin, por vetëm për gjykim nuk mund të flitet. Prej më shumë se 5 muajsh procesi është zvarritur dhe duket se do të zvarritet akoma dhe më shumë. Reforma u bë pikërisht për të ndaluar zvarritjet dhe për të ndëshkuar të paprekshmit, por duket se deri tani nuk ja ka dalë.
Janë afro 8 seanca në ngarkim të Mediut që janë shtyrë. Dje ishte seanca e radhës, por mund të themi se kjo seancë tregoi se gjykata nuk e ka dhe aq shumë me qejf këtë dosje.
Në seancën paraardhëse më 22 qershor, gjyqtarja Irena Gjoka pranoi përfaqësimin nga avokati Matlija të tre familjarëve të viktimave, ndërsa e shtyu seancën për verifikimin e prokurave për 106 të tjerë.
Ndërsa dje Fatmir Mediu nuk ishte i pranishëm në seancë. Ndërkohë, përfaqësuesit e tij ligjorë, avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha ngritën pretendime ndaj vlefshmërisë së prokurave. Sipas Vishës, prokurat janë lëshuar shumë vite më parë dhe se disa prej tyre janë përpiluar për fëmijë të mitur nën kujdestarinë e prindërve, ose në raste të tjera janë nënshkruar nga individë në moshë të madhe që duhet verifikuar nëse jetojnë ende.
Avokati Matlija vërejti se proceset gjyqësore zgjasin me vite dhe se në këtë rast çështja në fjalë vijon prej 15 vitesh, ndërsa prokurat nuk kanë më shumë se 10 vjet. Sipas tij, nuk ka kuptim që të ripërsëriten dhe duhet të konsiderohen, pavarësisht datës kur janë lëshuar.
Pasi u tërhoq për verifikim të prokurave, gjykata konstatoi të meta dhe ftoi avokatin që të kryejë korrigjimet përkatëse.
Në këtë moment, Matlija deklaroi revokimin e kërkesës së tij për përfaqësimin e personave që kanë lëshuar prokurë, por që nuk janë të pranishëm. Ai tha se për procesin është e mjaftueshme përfaqësimi i familjarëve të viktimave që janë në sallë dhe kërkoi që të vijojë gjykimi. Por gjyqtarja pasi u tërhoq për vendim vendosi të mos e legjitimojë atë si përfaqësues duke bërë që seanca të shtyhet dhe t’i jepet kohë avokati të sigurojë prokurat.
Pra janë 5 muaj vetëm zvarritje dhe manovra. Një herë Mediu kërkoi gjykim të shkurtuar, më pas u tërhoq. Gjykata për javë të tëra nuk legjitimonte si palë familjarët e viktimave. Pastaj krejt papritur i pranoi duke bërë që të ketë zvarritje të tjera. Pra duket se ka vetëm manovra.

Por skandali nuk mbyllet me kaq. Ditën e gjyqit, Fatmir Mediu ka qenë në Itali duke shijuar "pushimet" dhe duke zhvilluar takimet me personalitete vendas. Safet Gjici u fut në qeli për një video seksi, ndërsa Mediu që vrau 26 persona gjykohet i lirë. Por jo vetëm kaq, ai sfidon hapur drejtësinë duke reklamuar lirinë. Në rrjetet sociale ai ka hedhur dje foto ku shprehet: “Parlamenti Italian me deputetët e Frateli Di Italia dhe kolegët e IDU, sekretarin e Përgjithshëm Christian Cartner, mikun Gerti Bogdani përfaqësues i PD. Qëndrim unanim i grupit tonë për të mbështetur fort anëtarësimin e Frateli Di Italia në IDU”. Pra duket qartë se drejtësia deri më tani vijon të jetë e pafuqishme përballë tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje