
Vëllezërit e deputetit të PS, Rrahman Rraja, Xhelal dhe Flamur Rraja janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, pas dhunimit të kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja në Borizanë të Fushë Krujë. Sulmi ndodhi dy ditë më parë pasi kushërinjtë Maja u ankuan se guroret në pronësi të Përparim Rrajës, kushëririt të deputetit të PS, Rrahman Rraja po u dëmtonte banesat.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe gazetari Blendi Fevziu.
Në një postim në rrjete sociale, Fevziu shkruan se këta indidvidë i kanë hapur luftë shoqërisë dhe padyshim ndaj shtetit të cilit sipas gazetarit, këta njerëz as e kanë frikë dhe as e kanë në llogari. Më tej ai shkruan se më shumë friksohet shteti nga fisi Rraja sesa ata nga policia apo drejtësia.
“Pamjet e kësaj videoje të tmerrshme që janë publikuar dje (dhe që nuk po i ripublikoj të plota për hir të etikës dhe rregullave të Instagramit), nuk janë thjesht një akt dhune. As një sherr banal.
Janë sfidë ndaj qytetarit, ndaj shoqërisë dhe padyshim ndaj SHTETIT të cilin duket hapur që këta njerëz as e kanë frikë dhe as e kanë në llogari.
Më shumë duket se trembet shteti nga këta persona se sa ata nga policia dhe drejtësia. Imazhe si këto e dëmtojnë Shqipërinë më shumë se sa çdo gjë tjetër.”, shkruan Fevziu.
Çfarë ndodhi dy ditë më parë në Krujë?
Deri tani për dhunën brutale që anëtarë të fisit Rraja ushtruan drejt dy kushërinjve, Bilbil dhe Jashar Maja janë arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim mes tyre djali dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Rexhep, Flamur dhe Xhelal Rraja.
Shkak është bërë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit Rrahman Rraja, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth, 200 metra në vijë ajrore nga gurorja.
Mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për t’i kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësynë në lokal dhei dhunuan barbarisht.
Videoja është filmuar nga vetë pjesëtarët e fisit Rraja. Duke e ndier veten të paprekshëm, Rrajat donin t’ia bënin të qartë të pambrojturve se çfarë u ndodh nëse ankohen për guroren në Borizanë në pronësi të Përparim Rrajës, kushëririt të deputetit socialist Rrahman Rraja.
Lini një Përgjigje