TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Korrik 2023, 21:31

Skandal policor me dhunën në Krujë, djali i deputetit shpallet në kërkim pas 24 orësh; vëllezërit e tij ende në arrati

Shkruar nga Pamfleti
Skandal policor me dhunën në Krujë, djali i deputetit shpallet
Rexhep Rraja

Ka marrë përmasat e një skandali dhuna shtazarake në Krujë. Djali, vëllezërit dhe të afërmit e deputetit socialist Rrahman Rraja dhunuan mizorisht dy persona, të cilët u ankuan për shpërthimet në guroren që administron fisi Rraja. Ngjarja u fsheh nga policia, e cila e raportoi si një sherr banal. Por kur u publikua sot videoja e dhunës, doli në pah skandali.

Por ai u thellua më tej, kur policia njoftoi se kishte shoqëruar në komisariat 8 persona dhe kishte arrestuar 4 prej tyre. Ajo që ra në sy është se në njoftim mungonte emri i djalit të deputetit. Në video shihet qartë që Rexhep Rraja godet me shkop bejzbolli një prej anëtarëve të fisit Maja. Mirëpo policisë nuk i kishte bërë përshtypje. Vetëm pas 24 orësh, policia u kujtua ta shpallte në kërkim. Pasi mediat e denoncuan, policia solli njoftim shtypi.

"DVP Tiranë Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje", njofton policia.

Skandali tjetër është se policia nuk arrestoi dot edhe dy vëllezërit e deputetit socialist. Policia ka ndaluar Ineidi Rrajën 23 vjeç, Eni Kullajn 27 vjeç, Kujtim Përdakun 57 vjeç dhe Andi Rrajën 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Ndërkohë policisë "i kanë ikur nga duart" vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja,  Xhelal Rraja, 65 vjeç, Flamur Rraja, 55 vjeç.

Ndërkohë skandaloz ishte dhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Bledar Çuçi, i cili fliste për insituata, ndërkohë që duket qartë se policia dështoi totalisht. Policia tregoi se është e pafuqishme përballë fisit Rraja.

"Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s'mund t'u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s'ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë", shkruan Çuçi.

Dy vëllezërit Bilbil Maja dhe Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga disa anëtarë të fisit Rraja për shkak se u ankuan se gurorja në pronësi të kushëririt të deputetit të PS, Rrahman Rraja po u dëmtonte banesat.

policia dhune rexhep rraja

Lini një Përgjigje