Banorët e fshatit Gramzë kanë dalë në protestë paraditen e sotme, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e amortizuar të rrugës që lidh zonën e tyre me akset kryesore.
Sipas protestuesve, një segment prej rreth 500 metrash është dëmtuar rëndë dhe është bërë thuajse i pakalueshëm, duke krijuar vështirësi serioze për qarkullimin e automjeteve. Në shenjë proteste, banorët bllokuan rrugën për rreth një orë dhe paralajmëruan se do të vijojnë me protesta të tjera nëse nuk merren masa konkrete.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për asfaltimin e plotë të segmentit problematik, duke theksuar se zgjidhjet e përkohshme nuk e adresojnë situatën.
“Është hera e dytë që dalim për një të drejtë, rruga është bërë e pakalueshme. Na kanë shkatërruar rrugën. Kërkojmë që rruga të asfaltohet, s’kemi dalë për asnjë parti politike. Këtu kalon i gjithë veriu i vendit dhe Kosova. Këtu në një rast urgjence është katastofë, njeriu vdes për 500 metra rrugë. Dje kanë ardhur dhe kanë hedhur një kamion çakull te gropat, sa për të na hedhur hi syve. Kjo nuk është zgjidhje. Do ta vazhdojmë protestën deri sa të na plotësohet kërkesa jonë. Po kërkojmë një të drejtë tonën”, tha një banor i zonës.
Lini një Përgjigje