
Një konflikt me sende të forta ka agravuar në përdorimin e armëve, ku banorët e fshatit Shetaj u përplasën me “përfaqësues” të Kishës, mes tyre dhe ish-deputeti Mark Frroku.
Gazetarja Klodiana Lala ka paralajmëruar duke thënë se ajo që ndodhi dje nuk është asgjë me atë që pritet të ndodhë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Lala shkruan se në Kep të Rodonit kemi një përplasje të fortë mes dy grupeve kriminale, pasi mafia e ka kapur për fyti shtetin. Sipas gazetares, ajo që ndodhi dje është vetëm fillimi, dokumentat do të tregojnë një histori edhe më të frikshme, që askush nuk e di se sa kosto të rëndë do të ketë.
“Mafia e pronave e ka kapur për fyti shtetin.
Në Kep të Rodonit po përplasen grupet më të fuqishme kriminale.
Sapo ka nisur e gjitha. Dokumentat tregojnë një histori të frikshme që një zot e di sa kosto të rënda do të ketë”, shkruan Lala.
Kujtojmë që për ngjarjen e djeshme, ku u përlasën fizikisht dy grupe si dhe pati dhe të shtëna me armë, u arrestuan disa persoan, mes tyre ish-deputeti Mark Frroku, ndërsa është shpallur në kërkim shoferi i tij Besnik Toma, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë.
Përveç Mark Frrokut, të arrestuar janë edhe Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.
Banorët e zonës, Bajram Kaçuli, Ylli Reka, Erjon Reka dhe Orgito Reka, akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”;
Ndërsa personat që pretendojnë se janë përfaqësuesit e kishës: Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri, akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.
Policia po punon gjithashtu për kapjen e personit që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, shtetasit Besnik Toma. Ndërsa është proceduar penalisht shtetasi Ndue Sokoli, për veprën penale “Moskallzimi i krimit”.
Si ndodhi ngjarja?
Përfaqësuesit e Kishës Katolike kanë qenë duke rrethuar tokën 5 dynym e 400 m2 tokë për të cilën kanë certifikatë pronësie dhe këtu ka nisur sherri, ndërsa një ditë më parë u raportua edhe për të shtëna me armë. Por edhe familja Kaculi ka një certifikatë pronësie për të njëjtën pronë, dhe nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim.
Në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët janë duke kryer një investim në zonë për turizëm dhe duan të ndërtojnë një mol. Ndërkohë projekti zhvillimor kalon në tokën për të cilën u bë sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës dhe kjo ka çuar në përplasje të ashpër. Personat që duan të ndërtojnë molin janë përfshirë në sherr në mbrojtje të rojës duke qëlluar me armë zjarri në ajër.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh konflikt në këtë zonë mbi këtë çështje, ndërsa policia thotë se kallëzimet janë kryer në prokurori prej disa vitesh. Këta persona janë shoqëruar disa herë.
Njësia administrative, prokuroria, bashkia Durrës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes se Territorit dhe policia kanë qenë në dijeni të situatës konfliktuale, por deri me tani nuk ka pasur asnjë vendim në lidhje me dokumentacionin.
Policia nuk e saktëson se kush ka qëlluar me armë në reagimin e saj, por në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët janë duke kryer një investim në zonë për turizëm dhe duan të ndërtojnë një mol. Mediat shkruajnë se nga të dhënat paraprake, ka dyshime se personi që ka qëlluar me armë është kushëri i ish-deputetit Frroku.
Lini një Përgjigje