
Profesori Fatos Tarifa ka deklaruar, se të jesh sot deputetë në Shqipëri është turp, pasi të tregojnë me gisht dhe nuk përfaqëson popullin, por interesat personal.
Sakaq, ai e ka konsideruar ish-kryeministrin Sali Berisha, si një fatkeqësi për vendin dhe deputetët që mbrojnë atë si ‘spartanët’ e vendosur për të mbrojtur liderin.
Sipas Tarifës, duhet lënë sistemi i drejtësisë të bëjë punën dhe gjithsecili duhet të marrë atë që meriton.
“Po prisja me televizorin ndezur kur filloi seanca. E para gjë që më ra në sy është që ka shumë anëtarë parlamenti i Shqipërisë, gjysma e tyre duhet të jenë. E dyta, është që janë të dhunshëm. E treta, asnjë prej tyre nuk përfaqëson popullin. Parlamenti çdo ditë të vitit duhet të diskutoj hallet e popullit, nuk është ditë e caktuar sot. Por duke mos qene përfaqësues të popullit, por të partisë dhe kryetarit, kuptohet që hallet e popullit nuk vijnë kurrë në kuvend. Kur qe puna për të amenduar ligjin për rritjen e pagave të administratës, po ky parlament për pak orë i dyfishoi rrogat e deputetëve, lidhen dhe bien dakord kur është interesi i tyre, kur është puna të diskutohen hallet e mëdha të popullit ja çfarë ndodh dhe nuk është një rast i vetëm. Është krijuar një situatë e tillë, më vjen keq që e them, por është turp të jesh deputet, kushdo të tregon me gisht, nuk përfaqëson vërtetë askënd, as ide nuk diskutohen, as probleme të mëdha nuk sillen. Ligjet që kalojnë shumica nuk i dinë se cilat janë. Kurse të mbrosh sot, siç janë një grup deputetësh, Sali Berishën, që e kam quajtur vite më parë, një fatkeqësi për këtë vend, nuk e kuptoj se çfarë duhet të jesh që t’i dalësh në krahë. Në një shkrim të fundit, i kam quajtur ‘spartanët e vendosur për të mbrojtur liderin e tyre’, por nuk të çon asgjëkundi ajo rrugë. Lere sistemin e drejtësisë të bëjë punën e vetë dhe njeriu për atë që ka bërë, do të marri atë që meriton”, u shpreh ai në emisionin “Real Story” në ABC News.
Lini një Përgjigje