
Eglantina Osmanlli do të jetë administratorja shtetërore që do të menaxhojë pasuritë e sekuestruara të dhëndrit të ish kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezit.
Pas vendimit të GJKKO për sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka caktuar administratoren shtetërore që do të përgjigjet për menaxhimin e tyre.
Sipas një dokumenti të bërë publik, Osmanlli është caktuar nga agjencia e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Me vendimin e 24 tetorit 2023 Eglantina Osmanlli është caktuar të administrojë kuotat që janë në emër të Jamarbër Malltezit në tre shoqëri konkretisht;
45% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Homeplan sh.p.k
100% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Magnet IMO sh.p.k
60% të kuotave të kapitalit themeltar te shoqerisq Magnet Gym&Fit
Më 20 tetor 2023 mbështetur në kërkesën e datës 15 tetor 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të Jamarbër Malltezit si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të Malltezit në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave).
Kujtojmë se Jamarbër Malltezi, u arrestua më 21 tetor në aeroportin e Rinasit pasi akuzohet për korrupsion pasiv me vjehrrin e tij ish kryeministrin Sali Berisha dhe pastrim parash me ndërtuesin Fatmir Bektashi në aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani që u pasua më pas me ndërtimin e 19 kullave.
Lini një Përgjigje