
Avokati Rezart Kthupi ka komentuar vendimin e Apelit për t’i dhënë vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Ai u shpreh se vendimi i Gjykatës nuk mund të diskutohet, pasi nuk është gjë normale.
Avokati tha se në gjykatë u parashtruan çështjet e themelit, kërkuam të merreshin provat për Kuvendin e 11 dhjetorit, pasi sipas mendimit tonë, ai Kuvend nuk mund të prodhonte vendime të vlefshme.
“Gjykata u mor me aspektin procedurial, pra nuk i hyri çështjes në themel. Mendoj se Apeli nuk zbatoi vendimin e Gjykatës së Lartë, që përcaktonte se duhej një gjykim themeli”, tha Kthupi.
Lidhur me procedurat ligjore që do të ndiqen, ai u shpreh se kjo i përket forumeve drejtuese të grupimit të drejtuar nga Lulzim Basha.
“Duhet të keni parasysh se që kur filloi lëvizja e z. Berisha kishte si synim të cenonte organet drejtuese të PD-së dhe kjo ndodhi përpara se të mblidhte Kuvendin. Statuti i PD përcaktonte qartë se mbledhjen e Kuvendin e kërkon ¼ e delegatëve, por thirrjen e bën Kryetari. Nga ky moment Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 nuk është legjitim.
Keni deklarimet e z. Bardhi, që në atë kohë ishte Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, i cili kërkonte që të depozitoheshin emrat e delegatëve dhe firmat e tyre që kërkonin mbledhjen e Kuvendit. Kjo gjë nuk ndodhi, në atë kohë emrat dhe firmat iu dorëzuan z. Paloka”, tha Kthupi.
Kthupi tha se një tjetër shkelje proceduriale është ajo që ndërsa Lulzim Basha ishte në detyrë si kryetar i PD-së, një komision i quajtur si Rithemelimi, paraqiti në Gjykatë ndryshimet në statut, gjë që është sërisht shkelje statutore.
“Gjykata e Apelit duhej të shqyrtonte të gjitha provat që kishte në dosje, ndaj vendimi i kësaj Gjykate është i atakueshëm, pasi nuk ka gjykuar çështjen në themel”, u shpreh ai për “News 24”.
Ai tha se kjo rrugë mund të zgjasë shumë në kohë, ndoshta jo 3 vjet, por do të duhet kohë pasi Gjykata e Lartë duhet ta shqyrtojë, duhet ta rikthejë në Apel dhe të rishqyrtohet çështja në themel.
Lini një Përgjigje