TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Maj 2026, 11:23

Antiterrori zbarkon në Gjirokastër, hetohet përhapja e lajmit të rremë për kryebashkiakun Flamur Golemi

Shkruar nga Pamfleti
Antiterrori zbarkon në Gjirokastër, hetohet përhapja e lajmit
Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çështja po trajtohet me seriozitet për shkak të ndikimit që lajme të tilla mund të kenë në krijimin e panikut dhe destabilizimin e klimës sociale.

Struktura e Antiterrorit nga Tirana mësohet se ka mbërritur prej disa ditësh në Gjirokastër, në kuadër të verifikimeve lidhur me përhapjen në rrjetet sociale të një lajmi të dyshuar si i rremë, i cili ka shkaktuar debat dhe reagime të shumta në opinionin publik lokal.

Hetimet lidhen me publikime të bëra në rrjete sociale nga shtetasi Emin Kokalari, ku pretendohej se në Bashkinë e Gjirokastrës kishte raste të një sëmundjeje infektive dhe se edhe kryebashkiaku Flamur Golemi ishte i prekur.

Sipas burimeve të "Pamfletit", këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet shëndetësore dhe po trajtohen në kuadër të hetimeve për verifikimin e përmbajtjes dhe pasojave të tyre. Raportohet se deri më tani janë marrë në pyetje disa persona, me qëllim identifikimin e origjinës së informacionit dhe mënyrës së përhapjes së tij në publik.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çështja po trajtohet me seriozitet për shkak të ndikimit që lajme të tilla mund të kenë në krijimin e panikut dhe destabilizimin e klimës sociale. Ndërkohë, në fokus të hetimeve mbetet edhe mundësia nëse përhapja e informacionit ka qenë e koordinuar apo ka pasur elementë të tjerë të përfshirë në amplifikimin e tij në rrjetet sociale.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare përfundimtare mbi ecurinë e procedimit.

Kujtojmë se rreth një muaj më parë, kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, përmes avokatit të tij Arben Llangozi, depozitoi kallëzim penal pranë organeve kompetente, duke kërkuar hetim për përhapje paniku dhe publikim informacioni të rremë që, sipas tij, cenon figurën dhe institucionin që ai drejton.

Hetimet vijojnë.

Kujtojmë se rreth 1 muaj më parë, policia nisi procedimin penal ndaj Emin Kokalarit, i identifikuar si aktivist.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 33 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua celulari i 33-vjeçarit. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia më 20 prill.

Vetë aktivisti në rrjetet sociale ka mohuar që të ketë akuzuar dikë me emër. Reagimi i Policisë erdhi pasi më herët ishte Bashkia e Gjirokastrës që kishte hedhur poshtë pretendimet e ngritura në rrjetet sociale.

antiterrori gjirokaster kryebashkiakun flamur golemi

Lini një Përgjigje