TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Shkurt 2024, 22:09

Ambasadori i Britanisë vizitë në Gjykatën Kushtetuese, ultimatum politikës të zbatojë vendimet e saj

Shkruar nga Pamfleti

Ambasadori i Britanisë vizitë në Gjykatën Kushtetuese,

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith, ka zhvilluar sot një vizitë në Gjykatën Kushtetuese, ku është takuar me kryetaren e saj, Holta Zaçaj.

E pyetur nga Ambasadori King-Smith lidhur me sfidat dhe arritjet më të rëndësishme për vitin 2023, Kryetarja Zaçaj bëri një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë intensive të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij viti të lidhur me numrin e madh të çështjeve dhe rëndësinë e veçantë të disa prej tyre për publikun. Kryetarja Zaçaj evidentoi edhe disa prej arritjeve më të spikatura, siç është hartimi i Udhërrëfyesit (Guidës) për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, dokument i realizuar me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Gjatë takimit ajo vuri theksin te rëndësia e pavarësisë dhe ruajtjes së integritetit të Gjykatës Kushtetuese, që duhet të nisë nga rritja e buxhetit për plotësimin e nevojave më kryesore të gjykatës dhe shtimi i numrit të këshilltarëve ligjorë, domosdoshmëri që vjen nga numri i lartë i çështjeve dhe përmirësimi i cilësisë së vendimeve.

Më pas, znj. Zaçaj prezantoi sfidat për krijimin e një sistemi të ri elektronik të menaxhimit të çështjeve dhe përpjekjet e bëra për një bashkëpunim të pritshëm dhe të suksesshëm me Ambasadën Suedeze për këtë objektiv. Po ashtu, ajo prezantoi nismën për ridizenjimin e faqes zyrtare të internetit të Gjykatës Kushtetuese dhe programe e tjera të transparencës përmes bashkëpunimit financiar me Ambasadën Zvicerane.

Nga ana e tij, Ambasadori King-Smith shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht në përpjekjet për përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në projekte konkrete bashkëpunimi, me synim thellimin e shkëmbimit të përvojave në fusha të ndryshme ekspertize në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të veprimtarisë vendimmarrëse.

Mbi takimin reagoi dhe ambasada britanike, e cila dha një mesazh të fortë për politikën. “Ambasadori britanik, Alastair King-Smith zhvilloi diskutime produktive me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Ata diskutuan mbi progresin pozitiv të arritur gjatë vitit 2023, siç theksohet në raportin vjetor të Gjykatës dhe perspektivën për Reformën e Drejtësisë në Shqipëri. Ata theksuan rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për të mbështetur sundimin e ligjit dhe aspiratat e qytetarëve shqiptarë. Ata ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin mes Gjyqësorit të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në postimin e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.

Lini një Përgjigje