TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Maj 2026, 11:42

Aksidenti tragjik në Durrës, policia paralajmërohen ndëshkime të rënda për shoferët e pabindur

Shkruar nga Pamfleti
Aksidenti tragjik në Durrës, policia paralajmërohen
Dhimitraq Ziu

Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën pasi u përplasën nga një automjet që lëvizte me shpejtësi, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të reja për rritjen e sigurisë rrugore në të gjithë vendin.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se është vendosur një mënyrë e re monitorimi për qarkullimin rrugor, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve.

Sipas tij, janë vënë në përdorim 22 mjete shpejtësimatëse të kalibruara, ndërsa Policia Rrugore është pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe drogëtestues.

Në akset rrugore nacionale, patrullat nuk do të ndalojnë automjetet pa shkak, por do të monitorojnë qarkullimin përmes mjeteve teknologjike dhe patrullave të lëvizshme. Shkeljet e konstatuara do të ndëshkohen me masa administrative që do të pasqyrohen në kohë reale në platformën e-Albania. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë do të bëhet vetëm në rastet e sjelljeve të rrezikshme, si shpejtësia e lartë, parakalimet e gabuara apo manovrat agresive.

Ndërkohë, në zonat urbane do të vijojnë kontrollet për përdorimin e alkoolit, shpejtësinë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, vendosjen e rripit të sigurimit dhe respektimin e përparësisë së këmbësorëve. Në fokus do të jenë edhe parkimet e gabuara, për të cilat do të përdoren mjetet ngritëse.

Të dhënat për 4-mujorin e parë të vitit 2026 tregojnë një rritje të ndëshkimeve për shkelësit. Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 1009 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa mbi 82 mijë janë ndëshkuar për tejkalim shpejtësie.

Po ashtu, 815 drejtues kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit, ndërsa mijëra të tjerë janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, përdorim celulari dhe mosvendosje të rripit të sigurimit.

Sipas Policisë, shkaku kryesor i aksidenteve mbetet shpejtësia, ndërsa 33% e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash.

aksidenti në durrës policia e shtetit

Lini një Përgjigje